Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Aktakuzë ndaj një zyrtari për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikimit të dokumentit zyrtar

Aktakuzë ndaj një zyrtari për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikimit të dokumentit zyrtar

Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se Prokurori i Shtetit, pas zhvillimit të hetimeve, mbledhjes dhe analizimit të provave, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit D.B., në drejtim të veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga nenin 414 paragrafi 1 lidhur me nenin 77 të KPRK-së dhe “Falsifikimi i dokumentit zyrtar”, nga neni 427 paragrafi 1 lidhur me nenin 77 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, ekziston dyshimi i bazuar mirë se nga dt. 15.10.2021 e deri më 18.05.2023, në Prishtinë, respektivisht në zyrat e Agjencisë për Regjistrim Civil (ARC), i pandehuri D.B, në cilësinë e zyrtarit administrativ pranë kësaj Agjencie, përgjegjës për aplikim dhe shpërndarjen e dokumenteve personale (letërnjoftim, patentë shoferë dhe pasaportë), me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete apo për tjetrin, me dashje dhe dijeni, në vazhdimësi i ka keqpërdorur autorizimet e tija ligjore, duke vepruar në kundërshtim me legjislacionin primar dhe sekondar për pajisje me dokumentet personale, në atë mënyrë që, personit me inicialet M.D., shtetas i Republikës së Shqipërisë, i kërkuar nga Interpoli për vepra penale të narkotikëve, i ka sjellë dobi të kundërligjshme duke i ndihmuar që ta kompletojë, pranojë dhe vërtetojë dokumentacionin personal në emër dhe me të dhënat e të dëmtuarit A.N., duke e pajisur me letërnjoftimin dhe pasaportën e Republikës së Kosovës me të dhënat e të dëmtuarit A.N, siç ka vepruar edhe me 7 (shtatë) persona të tjerë, duke i keqpërdorur të dhënat personale të të dëmtuarve, në të cilat i pandehuri kishte qasje.

Prokurori i Shtetit me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat i vihen në barrë, gjithashtu ka propozuar që të njëjtit t’i shqiptohet dënimi plotësues “ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbime publike”, sipas nenit 62 të KPRK-së, respektivisht nenit 539 të KPPRK-së.

/TV Arbëria