Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër një personi me inicialet E.M., i cili dyshohet për shpërndarje të paautorizuar të narkotikëve dhe mbajtje të armëve në kundërshtim me ligjin.
Sipas aktakuzës, më 11 gusht 2025, rreth orës 21:25 në rrugën “Gasper Karaqi” në Gjakovë, i pandehuri është ndalur nga Njësia e Reagimit të Shpejtë e Policisë, teksa po lëvizte me automjetin e tij tip Audi A6. Gjatë kontrollit, në çantën e tij janë gjetur dhe sekuestruar gjashtë qese me substancë narkotike, e dyshuar të jetë kokainë.
Hetuesit më pas kanë kryer bastisje në banesën e të pandehurit, ku janë gjetur edhe prova të tjera që e lidhin atë me aktivitetin kriminal, përfshirë një peshore digjitale, pajisje për paketim të drogës, dhe qese të vogla plastike. Sipas raportit të Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, substanca e sekuestruar është identifikuar si kokainë, me peshë totale 342.06 gramë.
Përveç veprimtarisë me narkotikë, E.M. akuzohet edhe për mbajtje të paautorizuar të armëve, pasi gjatë bastisjes iu gjet një pistoletë me gaz e llojit Zoraki dhe një karikator, në kundërshtim me Ligjin për Armë nr. 05/L-022.
Prokuroria e ngarkon të pandehurin me dy vepra penale: “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267 paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 i KPRK-së.
Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas dispozitave ligjore në fuqi.