Prokuroria Speciale e Kosovës, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër një personi për shkak të kryerjes së veprave penale “sulmi ndaj personit zyrtar” dhe “pjesëmarrje në turmë që kryen vepra penale dhe huliganizëm”.
Në njoftimin e tyre, thuhet që sipas aktakuzës, i njëjti më 23 maj të vitit 2023, afër objektit të Komunës së Zveçanit, në koordinim me persona tjerë të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia, përmes përdorimit të dhunës i kanë sulmuar dhe kanosur ushtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it, përfshirë edhe disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës, raporton gazeta online Reporteri.net.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër një të pandehuri për veprat penale: Sulmi ndaj personit zyrtar” dhe “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepre penale dhe huliganizëm”. Sipas aktakuzës i pandehuri më datë 29.05.2023, afër objektit të Komunës së Zveçanit, në koordinim me të pandehur të tjerë të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia, përmes përdorimit të dhunës i kanë sulmuar dhe seriozisht i kanë kanosur ushtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it, si dhe disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.
Njëherit, thuhet se Prokurori i Shtetit nga Prokuroria Speciale, ka kërkuar nga Gjykata që të pandehurin të shpallë fajtor dhe të njëjtit t’i vazhdohet masa e paraburgimit deri në përfundim të këtij rasti penal.
Lidhur me këtë rast, në shkurt të këtij viti, Prokuroria Speciale pati ngritur aktakuzë ndaj dy serbëve, gjithashtu për “pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”.
Në këtë sulm ku u përdorën mjetet shpërthyese kundër trupave të KFOR-it, 25 ushtarë kishin mbetur të lënduar.