Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Drejtësi > Aktakuza në mungesë ndaj 21 personave për dëbimin e shqiptarëve gjatë luftës, PSRK: Kishin përgjegjësi komanduese, s’ndërmorën asgjë për ta parandaluar dëbimin

Aktakuza në mungesë ndaj 21 personave për dëbimin e shqiptarëve gjatë luftës, PSRK: Kishin përgjegjësi komanduese, s’ndërmorën asgjë për ta parandaluar dëbimin

Prokuroria Speciale e Kosovës ka publikuar inicialet e të akuzuarve në mungesë, të cilët akuzohen se në cilësinë e personave me përgjegjësi komanduese, gjatë periudhës janar – qershor 1999, kanë qenë të përfshirë në dëbimin e dhunshëm të popullsisë civile shqiptare nga territori i Kosovës.

Sipas aktakuzës, gjatë kësaj periudhe, të pandehurit Z.P, M.C, R.M, D.A, O.S, Ž.T, G.R, B.J, S.I, B.V, S.P, N.P, K.J, L.S, B.D, R.S, D.Z, M.Gj, L.C, B.F dhe M.K kanë qenë në dijeni se forcat nën komandën e tyre po kryenin veprime që realizoheshin përmes një fushate të gjerë dhe të koordinuar që përfshijnë: shkatërrimin e pronës, djegien e shtëpi8ve, përndjekjen dhe ndalimin arbitrar të personave në baza etnike, sulme të armatosura ndaj fshatrave dhe qyteteve të banuara me popullsi civile shqiptare, me qëllim zhvendosjen me dhunë brenda territorit të kufijve të atëhershëm administrativ të Kosovës.

“Nga hetimet ekziston dyshimi i bazuar mirë se si rezultat i këtyre veprimeve, rreth 862,979 civilë shqiptarë janë dëbuar me forcë nga shtëpitë e tyre drejt kufijve me Shqipërinë dhe ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë.”, thuhet në njoftimin e PSRK-së.

21 të pandehurit akuzohen se  nuk ndërmorën masat e nevojshme që ishin në kompetencën dhe përgjegjësinë e tyre për të parandaluar kryerjen e këtyre veprimeve, për t’i penguar apo për të ndëshkuar autorët ose për të raportuar aktet e kundërligjshme tek autoritetet përkatëse.

“Në mbështetje të neneve 234 dhe 303 të Kodit të Procedurës Penale, Prokuroria Speciale, i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë që të mbajë gjykimin në mungesë për shkak se të pandehurit janë të paarritshëm për organet e drejtësisë.”, thuhet në komunikatë.