Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Aktakuza ndaj Thaçit për pengim të drejtësisë, Prokuroria ngre një paralele me aktgjykimin ndaj Kurtit për sulm ndaj policisë dhe UNMIK’ut

Aktakuza ndaj Thaçit për pengim të drejtësisë, Prokuroria ngre një paralele me aktgjykimin ndaj Kurtit për sulm ndaj policisë dhe UNMIK’ut

Gjykata Speciale para një jave ka bërë publike disa pjesë të redaktuara të aktakuzës kundër ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve për pengim në administrimin e drejtësisë. Në aktakuzë, teksa Prokuroria e Specializuar ka tentuar të mbështetet “grup” në kryerjen e veprës së pretenduar penale, këtë e kanë mbështetur në aktgjykimin e 2010-ës kundër Albin Kurtit për sulm ndaj zyrtarëve policorë dhe UNMIK’ut.

Prokuroria e Specializuar pretendon se z. Thaçi dhe Kuçi janë pajtuar që të pengojnë personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare përmes veprimit të përbashkët të një grupi, i cili përfshinte një ose më shumë persona të tjerë”, thuhet në aktakuzë, raporton Insajderi.

Sidoqoftë, gjykatësi i procedurës paraprake ka thënë se pritet që më vonë ta vlerësojë nëse është arritur elementi i veprës penale nën akuzën e prokurorisë se Thaçi dhe të tjerët funksionuan si grup.

Gjykatësi i procedurës paraprake konstaton se, në kontekst të nenit 401(2) të KPK-së, kjo do të thotë se çdo marrëveshje ndërmjet z. Thaçi dhe Kuçi duhet të ndërlidhet me faktin se pengimi i synuar duhet të kryhet si pjesë e një “grupi”. Me fjalë të tjera, nëse elementi “grup” nuk mbështetet me prova, atëherë çdo marrëveshje e arritur nga z. Thaçi dhe Kuçi nuk mund të shihet si qëllim i kryerjes së një vepre penale në kuptim të nenit 35(1) të KPK-së. Prandaj, gjyqtari i procedurës paraprake e sheh të përshtatshme të përcaktojë nëse elementi i “grupit” është arritur”, vijon tutje.

Ndërkaq si referencë mbështetëse nga Prokuroria e Specializuar për termin “grup” përmendet aktgjykimi i Gjykatës së Qarkut ndaj Albin Kurtit sa ishte në opozitë. Thuhet se Kurti mori pjesë në një grup për pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrës zyrtare. Gjegjësisht, sulmeve ndaj Policisë së Kosovës dhe pjesëtarëve të UNMIK’ut.

Shih për shembull Prokuroria kundër Albin Kurtit, P. Nr. 281/07, Gjykata e Qarkut në Prishtinë, Aktgjykim, 14 qershor 2010, në të cilin Albin Kurti u shpall fajtor për veprën penale nga neni 318 i Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës të datës 6 korrik 2003 (UNMIK/REG/2003/25) me titullin “Pjesëmarrje në një grup që pengon personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare”. Një turmë e madhe theu kordonin e policisë në kuadër të një proteste marshuese”, thuhet në referencë.

Kurti atëbotë ishte dënuar si udhëheqës i turmës pranë Teatrit Kombëtar në Prishtinë meqë “me veprim të përbashkët pengoi personat zyrtarë (Policia e SHPK-së dhe policia e UNMIK-ut) për të kryer detyrat e tyre zyrtare, duke e bërë këtë personalisht dhe duke i shtyrë pjesëmarrësit e tjerë në turmë përmes të njëjtit kordon policor duke shkelur urdhrat e  zyrtarëve publikë”.

Atëkohë, ai dënohej me nëntë muaj burgim nga Gjykata e Qarkut.

Thaçi është deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzën për pengim të administrimit të drejtësisë.

Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe Fahri Fazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe Vllaznim Kryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.