Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë kundër 26 zyrtarëve policorë për veprën penale “marrja e ryshfetit”. Në lidhje me këtë çështje, nën koloneli i Policisë së Kosovës, Refki Morina thotë për Tëvë1 se këta zyrtarë duhet të suspendohen pasi nuk kanë vend në Policinë e Kosovës.
26 zyrtarë policorë të cilët ishin me detyrë këtu në pikën kufitare në Vërmicë dyshohet se kanw keqpërdorur pozitën zyrtare dhe marrë ryshfet.
Andaj për këta zyrtarë Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër pandehurve A.K., B.H., B.P., B.O., B.S., D.Z., F.H., F.R., H.S., H.H., I.I., I.S., K.S., M.S., N.H., N.S., R.M., R.K., R.G., S.K., S.Q., S.P., S.H., SH.A., SH.SH., Z.P. Të gjithë të pandehurit akuzohen se në cilësi të zyrtarëve policorë, me detyrë në SMPK – Pika Kufitare Vërmicë, me veprimet e tyre kane kryer veprën penale: ‘Marrja e ryshfetit’”, thuhet nga Prokuroria Speciale.
Kjo nuk është hera e parë, që në këtë pikë arrestohen zyrarë policor.
Në Prill të vitit 2022 u patën arrestuar 26 zyrtarë policorë në pikën kufitare të Vërmicës nën operacionin “Pika 2” lidhur me veprat penale “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Inspektorati Policor i Kosovës atëherë kishte njoftuar se iu është dhënë edhe rekomandimi për suspendim nga detyrat e punës për zyrtarët e arrestuar.
Këto, raste sipas ish nën kolonelit Refki Morina duhet të luftohen brenda institucionit.
“Me vet faktin se Prokuroria ka hapur kallëzim penal ndaj tyre unë mendoj se ata kanë fakte dhe prova të mjaftueshme në koordinim me Departamentin e Hetimeve do të thotë Inspektoratit Policor të Kosovës do t’i rekomandohet Policisë së Kosovës që personat e tillë të suspendohen nga puna përkohësisht deri sa të merret vendim nga ana e Gjykatës një vendim përfundimtar në bazë të argumenteve provave të cilat Prokuroria e procedon së bashku me Hetuesinë në Gjykatë”, tha Morina.
Në lidhje me këtë çështje, televizioni ka dërguar pyetje edhe në Inspektoratin e Policisë së Kosovës mirëpo deri në publikimin e kësaj kronike nuk kanë kthyer përgjigje