Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Aksioni në Veri / Lekaj: Mungesa e koordinimit mund të çojë në një ulje të besimit ndërmjet Kosovës dhe aleatëve të saj kryesor

Aksioni në Veri / Lekaj: Mungesa e koordinimit mund të çojë në një ulje të besimit ndërmjet Kosovës dhe aleatëve të saj kryesor

Dje është realizuar një aksion në pjesën Veriore nga Policia e Kosovës ku kanë mbyllur katër komuna ilegale. Pas këtij operacioni reagime të shumta janë ngjallur nga aleatët ndërkombëarë teksa këtë aksion e konsiderojnë se është bërë pa u koordinuar me ta, raporton TV Arbëria.

Në lidhje me këtë çështje, në një prononcim për TV Arbëria ka folur deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj i cili ka thënë se aksioni i djeshëm nga Policia në veri kundër strukturave të paligjshme është çështje shumë komplekse dhe delikate, duke pasur parasysh se ka të bëjë me sovranitetin.

“Aksioni i djeshëm nga Policia e Kosovës në veri kundër strukturave të paligjshme është një çështje shumë komplekse dhe delikate, duke pasur parasysh se ka të bëjë me sovranitetin dhe sundimin e ligjit në një pjesë të Kosovës”, është shprehur Lekaj.

Sa i përket reagimeve të aleatëve ndërkombëtar në lidhje me këtë aksion, Lekaj konstaton se kjo tregon për një shqetësim të madh për mungesën e koordinimit në këtë operacion, teksa shton se këto reagime sugjerojnë se aksione të tilla, pa një plan të koordinuar mund të krijojnë tensione të mëtejshme.

“Megjithatë, reagimet e ashpra nga aleatët e Kosovës, përfshirë zyrën e BE-së në Kosovë, ambasadën e SHBA-së, dhe ambasadorët britanik, francez dhe gjerman, tregojnë për një shqetësim të madh për mungesën e koordinimit në këtë operacion. Këto reagime sugjerojnë se aksione të tilla, pa një plan të koordinuar mirë me partnerët ndërkombëtarë, mund të krijojnë tensione të mëtejshme dhe të komplikojnë më tej situatën e sigurisë dhe politikës në rajon”, tha ai.

Sipas vlerësimit të Lekaj, mungesa e koordinimit mund të çojë në një ulje të besimit ndërmjet Kosovës dhe aleatëve të saj kryesor, e cila mund të ndikojë në mënyrë të dëmshme në marrëdhinet diplomatike.

“Mungesa e koordinimit mund të çojë në një ulje të besimit midis Kosovës dhe aleatëve të saj kryesor. Kjo mund të ndikojë në mënyrë të dëmshme në marrëdhëniet diplomatike dhe në mbështetjen ndërkombëtare për Kosovën, veçanërisht në kontekste të rëndësishme si negociatat e ardhshme me Serbinë ose në forumet ndërkombëtare ku mbështetja e aleatëve është kyçe”, konstaton Lekaj.

Ndër tjera, Lekaj thotë se veprime të tilla mund të konsiderohen të nevojshme për ruajtjen e rendit dhe sovranitetit.

“Ndonëse veprime të tilla mund të konsiderohen të nevojshme për ruajtjen e rendit dhe sovranitetit, është esenciale që të koordinohen ngushtë me partnerët ndërkombëtarë për të shmangur përshkallëzimin e tensioneve dhe për të ruajtur mbështetjen e tyre të vazhdueshme”, përfundoi Lekaj për TV Arbëria.

Powered by WordPress