Blog Post

Arbëria TV > Politika > Aksioni i PSD-së para Qeverisë: Për dy vjet qeverisje, nuk ia kanë bërë vijë

Aksioni i PSD-së para Qeverisë: Për dy vjet qeverisje, nuk ia kanë bërë vijë

Partia Socialdemokrate (PSD) ka mbajtur një aksion simbolik në dyvjetorin e Qeverisë Kurti II. PSD ka ngjyrosur me të verdhë objektin e ekzekutivit, vija e verdhë, sipas tyre simbolizon mos punën e qeverisë dhe se të njëjtit “nuk ja kanë bërë vijë” për dy vjet qeverisje.

Zgjim Hyseni nga PSD tha se për gjysmën e mandatit të kaluar, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka implementuar as programin e premtuar gjatë fushatës.

Para mediave, ai tha se janë thënë shumë shifra e fjalë, por të njëjtit nuk kanë filluar as të implementojnë programin qeveritar.

Hyseni: Rritje e mendjes e rrahje e gjoksit: shumë fjalë, shumë numra

“Rritje e mendjes e rrahje e gjoksit: shumë fjalë, shumë numra, shumë shifra. Para 2 vjetëve na thanë se ndodhi diçka e madhe, diçka e paparë, e jashtëzakonshme. A e dini çfarë ndodhi para 2 vjetëve? Nuk ka ndodhë bash asgjë. Kjo qeveri edhe ashtu nuk e ka pasur programin transformues. Do të thotë këta kanë hequr dorë nga kauzat, ato me të cilat janë identifikuar si lëvizja para së të afrohen tek pushteti. Edhe sikur të ishte zbatuar programi qeveritar në përpikëri nuk do të ishte bërë nami, se edhe ashtu nuk ka qenë diçka e madhe. Problemi është se këta as nuk kanë filluar, nuk ia kanë bërë as vijë”,tha Hyseni.

Derisa ka përmendur premtimet e pushtetit aktual, Hyseni shtoi se të njëjtit ishin zotuar për çerdhe e banesa për çifte të reja.

“Kanë premtuar që do i ndërtojnë 160 çerdhe të reja. Nuk është asnjë. Nuk ia kanë ba vijë. Këta i kanë premtuar 4 mijë banesa për çifte të reja, nuk ka as gurthemelet, që do të thotë nuk ia kanë bë vijë. Këta kanë thënë që do të rregullojmë shëndetësinë dhe nuk do të ketë më mungesë të barnave, kanë thënë që do të bëjmë sigurimet shëndetësore, gjendja është vetëm më keq, nuk ia kanë bë vijë. Këta kanë thënë që do të pesëfishojnë numrin e inspektorëve të punës, është një inspektor më pak në këtë moment që po flasim, nuk ia kanë bë vijë. Këta kanë thënë që do të ndërtojnë shtatë shtëpi të pleqve, nuk është asnjë. Kryeministri i obsesionuar me historinë edhe me kohën nuk ka mund të përfundojë më keq”, u shpreh ai.

Më tej, ai ka treguar edhe cila është simbolika e vijës së verdhë, me të cilën u ngjyros objekti i qeverisë.

Hyseni: Nuk ja kanë bërë vijë për këto dy vjet

“Simbolika e vijës së verdhë është për të treguar në mënyrë të thjeshtë dhe popullore, bilancin e kësaj qeverie, që do të thotë nuk ja kanë bërë vijë për këto dy vjet. Për dy vjet punë, është gjysma e mandatit, vijë nuk ja kanë bërë”,tha Hyseni.

/TV Arbëria