Policia e Kosovës gjatë ditës së sotme ka kryer një aksion në katër komunat verioretë Kosovës, ku ka mbyllur 6 njësi të të ashtuquajturës “Bankë Postare e Kursimeve”, raporton TV Arbëria.
Pas kësaj ka reaguar ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ku tha se ky aksion është zhvilluar me qëllim të vendosjes së ligjshmërisë.
“Me qëllim të vendosjes së ligjshmërisë, pas komunikimit dhe kërkesës së institucioneve relevante dhe autorizimit të prokurorit, Policia e Kosovës në bashkëpunim me Administratën Tatimore të Kosovës, në katër komunat në veri të Kosovës ka realizuar sot operacionin e kontrollit dhe mbylljes së 6 njësive të të ashtuquajturës Bankë Postare e Kursimeve (Banka Postanske Stedionica) si institucion i jashtëligjshëm financiar i Serbisë në Republikën e Kosovës”, ka thënë Sveçla.
“Sundimi i rendit dhe ligjit, shërbimi ndaj të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim do të vazhdojë të jetë qëllimi ynë për të cilin jemi zotuar në vazhdimësi.
Përgëzoj të gjitha institucionet për bashkëpunimin dhe suksesin e treguar”, shkruan tutje ministri. /TV Arbëria