Tina Kaidanow vdiq të mërkurën. Nga viti 2006, kur vendi po i afrohej pavarësisë, ajo ishte shefe e Misionit dhe më pas ambasadorja e parë e Shteteve të Bashkuara në Republikën e Kosovës.
Një anëtare karriere e shërbimit diplomatik të SHBA-së, ajo kishte shërbyer edhe si Asistente Speciale e Ambasadorit të SHBA-së, Christopher Hill në Shkup më 1998-1999 dhe kishte përgjegjësi specifike të fokusohej në krizën në Kosovë, duke ndihmuar jashtëzakonisht shumë.
Por Lëvizja Vetëvendosje pothuajse e urrente këtë grua, të cilës i duhej të argumentonte edhe jashtë Kosovës se plani dhe rekomandimet e Martti Ahtisaarit ishin “përgjigja e vetme dhe e drejtë për statusin e ardhshëm të Kosovës”. LVV-ja e kundërshtonte edhe me dhunë këtë plan.
Kur Kaidanow po largohej nga Kosova në vitin 2009 për të vazhduar me detyrat e radhës diplomatike, LVV organizonte një aksion kundër saj. Një vit pas shpalljes së pavarësisë, e akuzonte atë se “e ka shndërruar Kosovën në një monarki postmoderne”.
Ambasadorja paraqitej me e veshur me një thes të mbeturinave dhe me një kurorë mbi kokë, ndërsa dy njerëz me fotografi të kryeministrit Hashim Thaçi dhe presidentit Fatmir Sejdiu në kokë, e “lusnin” që të qëndronte.
“Po të lutem me gjithë zemër mos më ik, mos më le, këta kit që nuk po thahen”. Nën tingujt e kësaj kënge në sfond, Frashër Krasniqi, atëherë aktivist i LVV-së, fliste për aksionin.
“Tina Kaidanow gjatë qëndrimit të saj në Kosovë nuk e ka përfaqësu politikën e vëretë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës karshi Kosovës, për shkak se Shtetet e Bashkuara e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, përderisa Tina Kaidanow i ka mbyllur të gjitha rrugët për shtrirjen e sovranitetit të Kosovës, duke i kontrolluar politikanët e Kosovës dhe duke e shndërru Kosovën në një monarki postmoderne”.
Largimi i saj nga Kosova, ai thoshte se ishte “lajm shumë i mirë për qytetarët e Kosovës”.
“Është lajm pikëllues edhe për Tinën për shkak se ajo kurrë më në jetën e saj nuk do të mund të gjejë privilegje të tilla që i ka pasë këtu”, thoshte Krasniqi, tash një kritik i zëshëm i LVV-së dhe kryeministrit Albin Kurti.