Policia e Kosovës njofton se në tri ditët e fundit në orët e mbrëmjes kanë realizuar kontrolle në disa lokale në Mitrovicë të jugut, Vushtrri dhe Skenderaj.
“Kontrollet e jashtëzakonshme janë realizuara në lokacione të ndryshme, ku janë kontrolluar mbi 600 persona, ku përveç një rasti në një lokal (kafiteri) në Mitrovicë, ku te një person është gjetur dhe sekuestruar një armë e llojit pistoletë, tek personat tjerë nuk është gjetur asgjë e kundërligjshme”, thuhet në njoftim.
Tutje, bëhet e ditur se gjatë realizimit të këtyre kontrolleve, policia është përkujdesur që të gjitha masat e ndërmarra të jenë në përputhje me ligj dhe akte tjera normative duke respektuar të drejtat dhe liritë e çdo qytetari.
“Policia, falënderon qytetaret për mirëkuptim gjatë kontrolleve të kësaj natyre, që kanë për qëllim parandalimin e gjërave të kundërligjshme që hasen në posedim te qytetarët”, thuhet në fund të njoftimit.