Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Aksion i madh i Europol kundër kokainës në Serbi – Arrestohet zyrtari i lartë serb në Novi Sad dhe disa të tjerë

Aksion i madh i Europol kundër kokainës në Serbi – Arrestohet zyrtari i lartë serb në Novi Sad dhe disa të tjerë

Mladen Papoviq, drejtori i ndërmarrjes së trafikut të qytetit në Novi Sad, është arrestuar sot nën dyshimin se ai si pjesëtar i “Kartelit Ballkanik” ka marrë pjesë në kontrabandën ndërkombëtare të kokainës, raporton portali 021.

Në aksionin ndërkombëtar të udhëhequr nga Europoli, në Serbi janë arrestuar edhe shtatë persona të tjerë, njoftoi prokuroria për krim të organizuar.

Papoviq, i cili ka qenë në krye të kompanisë së transportit publik të Novi Sadit që nga shtatori i këtij viti, dyshohet se ka kryer krimin në vitin 2021, njoftoi në rrjetet sociale kryetari i Novi Sadit, Milan Gjuriq.

Përveç Papoviqit, shtatë persona të tjerë u arrestuan në disa qytete të Serbisë – në Beograd, Nish, Novi Sad dhe Sremska Mitrovicë.

Një shtetas serb është arrestuar në Ekuador, ndërsa një person është arrestuar në Bosnje dhe Hercegovinë, njoftoi Prokuroria Publike për Krim të Organizuar.

Të arrestuarit, siç njofton prokuroria, dyshohen për kontrabandë kokaine nga Ekuadori dhe Brazili drejt Evropës në periudhën nga fundi i tetorit 2019 deri në mars 2021.

Për anëtarët e arrestuar më parë të “Kartelit Ballkanik” tashmë është ngritur aktakuzë, por gjyqi nuk ka nisur ende pasi po zhvillohen seancat përgatitore, ku diskutohen provat dhe të cilat janë të mbyllura për publikun. Në mesin e organizatorëve të akuzuar është edhe Zoran Jakshiq, një nga njerëzit kyç të grupit monstruoz kriminal “Amerika”, i cili po vuan dënimin për kontrabandë kokaine në një burg në Peru.

Grupi akuzohet se ka marrë pjesë në kontrabandën e rreth shtatë tonëve kokainë në periudhën dhjetor 2019 deri në gusht 2020 dhe në aktakuzë përshkruhen tre sekuestrime. E para ndodhi në shkurt 2020, kur në anijen Aresa u gjetën dhe sekuestruan 4.5 ton kokainë. Pak muaj më vonë, në qershor të po atij viti, në Belgjikë u gjetën 1.2 ton kokainë, ndërsa në gusht u kapën 742 kilogramë të tjera kokainë në Roterdam të Holandës.

Prova kryesore kundër “Kartelit Ballkanik” është komunikimi me aplikacionin “Sky” për komunikim të sigurt, i cili përdorej nga kriminelët në mbarë botën për aktivitete të ndryshme kriminale.