Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore në Mitrovicë – Dega në Vushtrri, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj katër personave të arrestuar në një operacion të realizuar një ditë më parë.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, paraburgimi është kërkuar për të pandehurit me iniciale Rr.G., A.G., dhe E.G., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Detyrimi”, si dhe për të pandehurin me iniciale K.G., i cili dyshohet për veprat penale “Lëndimi i lehtë trupor” dhe “Arratisja e personave të privuar nga liria”.
Katër të dyshuarit janë arrestuar më 21 shtator 2025, gjatë një operacioni të përbashkët të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë dhe Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, me ç’rast janë kontrolluar disa lokacione në fshatin Ropicë dhe në qytetin e Vushtrrisë.
“Gjatë bastisjeve, autoritetet kanë sekuestruar dy armë zjarri të shkurtra, 352 fishekë të kalibrave të ndryshëm, dy karikatorë, dy palë dylbi, shtatë telefona celularë, një shkop druri, një palë dorëza, një thikë, dokumente të ndryshme, një pasaportë, një patentë shoferi, një USB, një laptop, një palë patika, si dhe një çelës motori. Të dyshuarit ndodhen në ndalim 48-orësh me vendim të prokurorit të çështjes, ndërsa seanca për caktimin e masës së paraburgimit pritet të mbahet në Gjykatën Themelore në Mitrovicë – Dega në Vushtrri”, thuhet në njofitm.kp