Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Aksidenti në Tërstenik: Viktima mërgimtar nga Austria, po qëndronte për pushime në Kosovë

Aksidenti në Tërstenik: Viktima mërgimtar nga Austria, po qëndronte për pushime në Kosovë

Viktimë e aksidentit të mbrëmshëm në fshatin Tërstenik të Drenasit, është një i ri nga Kosova që jetonte në Austri.

I riu po qëndronte për pushime në vendlindje.

Vdekjen e tij e ka konfirmuar Policia e Kosovës. Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti tha për gazetën online Reporteri.net se aksidenti fatal ka ndodhur ndërmjet një motoçiklete dhe një automjeti.

Si pasojë e përplasjes, dy persona që ndodheshin në motoçikletë kanë pësuar lëndime trupore, ndërsa njëri prej tyre, identifikuar si A.M (mashkull), nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë.

“Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në QKMF – Drenas,” ka deklaruar Ahmeti.

Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave që kanë çuar deri te aksidenti. Ndërkohë, shoferi i automjetit është ndaluar dhe është dërguar në mbajtje.