Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Aksidenti në Ramun të Pejës: Motoçiklisti në gjendje jo stabile

Aksidenti në Ramun të Pejës: Motoçiklisti në gjendje jo stabile

Gazeta Sinjali raportoi më parë për një aksident trafiku që ndodhi pasditen e sotme në fshatin Ramun të Pejës, ku u përfshinë një kombi dhe një motoçikletë.

Si pasojë e përplasjes, motoçiklisti pësoi lëndime trupore dhe fillimisht u dërgua në Spitalin Rajonal të Pejës. Ku, për shkak të natyrës së rëndë të lëndimeve, ai më pas u transferua për trajtim të mëtejmë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Lajmin për Sinjalin e konfirmoi zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova.

“Sot, rreth orës 16:25, Policia është njoftuar për një aksident trafiku në fshatin Ramun të Pejës, ku janë përfshirë një kombi dhe një motoçikletë. Si pasojë e aksidentit, motoçiklisti ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar në Spitalin Rajonal të Pejës për trajtim mjekësor, e më pas, për shkak të natyrës së lëndimeve, është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës”, deklaroi Rugova.

Sinjali ka kontaktuar edhe QKUK-në, nga ku është bërë e ditur se pacienti është pranuar në gjendje të rëndë dhe jo stabile.

“Është sjellë nga Spitali i Pejës një pacient i aksidentuar, i lindur në vitin 2001. Ka politraumë të rëndë dhe është në gjendje jo stabile. Janë kryer ekzaminimet e nevojshme në Qendrën Emergjente dhe pacienti është dërguar në sallën operative të Emergjencës nga ekipet e Neurokirurgjisë dhe Anestezionit. Pas intervenimit do të transferohet në Mjekimin Intensiv Qendror”, ka thënë Naser Syla, drejtor i Emergjencës për Sinjalin.