Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi, ka paralajmëruar një rritje të ndjeshme të tatimit në pronë për pronat komerciale, si pasojë e zbatimit të shkallës progresive të paraparë me ligjin aktual.
Sipas Ibrahimit, faturat për disa biznese mund të shumëfishohen, duke rrezikuar likuiditetin dhe investimet. “Tatimi për pronat komerciale mund të shkojë mbi 200 për qind në disa raste. Kjo nuk ka të bëjë me pronat banesore, por ekskluzivisht me pronat që përdoren për veprimtari ekonomike,” tha ai.
Ibrahimi dha edhe shembuj konkretë: një pronë komerciale me vlerë 7 milionë euro mund të përballet me tatim mbi 26 mijë euro në vit, ndërsa një pronë me vlerë 50 milionë euro mund të arrijë mbi 240 mijë euro.
Ai theksoi se rritja e tatimit është e parashikuar me ligjin qendror dhe jo me vendime komunale, ndërsa komunat nuk janë konsultuar gjatë hartimit të tij. AKK-ja prej vitesh ka kërkuar amandamentimin e ligjit për të bërë tatimin më të përballueshëm.
Rritja e tatimit ishte paraparë të hynte në fuqi në vitin 2025, por u pezullua përmes Ligjit të Buxhetit, duke lënë hapësirë për ndryshime ligjore. Si zgjidhje afatshkurtër, Ibrahimi sugjeron që Ministria e Financave të shtyjë lëshimin e faturave deri më 31 mars 2026, për të analizuar ndikimin ekonomik dhe për të konsultuar bizneset dhe komunat.