Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, ka paralajmëruar se protestat e transportuesve në Ballkanin Perëndimor dhe kufizimet e reja të Bashkimit Evropian për qëndrimin e shoferëve po shkaktojnë humbje të mëdha ekonomike, shtrenjtim të transportit dhe rrezik për mungesë të produkteve në Kosovë dhe rajon.
Shahini për Ekonomia Online tha se vendimi që shoferët nga Ballkani Perëndimor të mos qëndrojnë më shumë se 90 ditë në çdo gjashtëmujor në zonën Shengen, gjithsej 180 ditë në vit, i ka trajtuar ata si turistë dhe ka nxitur revoltë në sektorin e transportit.
“Bllokadat që janë organizue nga transportuesit e Ballkanit Perëndimor në raport me vendimin e Bashkimit Evropian që shoferët mos të kenë të drejtë më shumë për të qëndruar në Bashkimin Evropian se 90 ditë në gjashtëmujorin e parë dhe 90 në gjashtëmujorin e dytë, gjithsej 180 ditë, kanë ngritë revoltë të madhe dhe kanë ngritë pasiguri në transportin ndërkombëtar, për arsye se shoferët tashmë trajtohen sikur turistë ”, tha ai.
Sipas tij, transportuesit po kërkojnë leje speciale që shoferët të trajtohen si punëtorë dhe jo si vizitorë, pas zbatimit të sistemit EES që regjistron hyrje-daljet në BE.
“Dhe kjo ka bërë që këta të ngrihen me të drejtë për të kërkuar leje speciale që ata mos të trajtohen sikur turistë, por të trajtohen si punëtorë që mos t’u kufizohet hyrje-dalja pas aplikimit të vitit të kaluar të sistemit EES, që numëron ditët hyrje-dalje të çdo personi nga Ballkani Perëndimor që shkon në Evropë. Kjo po ka krijuar tollovi të madhe, po krijon humbje financiare, mungesë të produkteve dhe nëse i ndalim dhe e analizojmë, rreth 20 mijë mauna që janë tashmë të bllokuara mes transportit të Ballkanit Perëndimor dhe Evropës, e kap një kosto ditore rreth 1 miliard euro të importeve dhe eksporteve që ka Bashkimi Evropian me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe kjo është një humbje shumë e madhe ”, tha ai.
Ai bëri thirrje që qeveritë e rajonit të reagojnë menjëherë ndaj Brukselit.
“Prandaj, të gjitha qeveritë e Ballkanit Perëndimor do të duhet që ata t’i drejtohen Bashkimit Evropian për t’i dhënë një mundësi shoferëve, kompanive, bizneseve, transportuesve, që shoferëve të tyre mos t’u numërohen ditët e qëndrimit në Evropë si turistë, por të kenë të drejtë ata të qëndrojnë varësisht prej situatës ”, tha ai.
Duke marrë shembull Kosovën, Shahini theksoi se rreth dy mijë mauna transportojnë mallra drejt vendeve të BE-së dhe se kufizimet kohore e bëjnë pothuajse të pamundur kryerjen e shumë udhëtimeve brenda tre muajve.
Ta marrim shembull: Kosova ka rreth 2 mijë mauna që bartin mallra të ndryshme, sipas një evidence – kjo mund të jetë plus-minus. Nëse një shofer me një maunë niset për të dërguar një dërgesë të mallrave në vendet e Bashkimit Evropian, në thellësi të saj, diku në vendet skandinave ku duhet të udhëtojë më shumë se 7 ditë – për arsye të kufizimit të qarkullimit në rrugë, nuk kanë të drejtë më shumë se 9 orë shoferët të ecin, po ata duhet të bëjnë ndalesa dhe ato ndalesa janë të mëdha ”, tha ai.
Sipas Shahinit, mungesa e shoferëve, kërkesa e madhe nga Gjermania dhe bllokadat kanë bërë që çmimi i transportit ndërkombëtar të rritet tashmë për 15 deri në 20 për qind.