Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe kryetar i BDI-së në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, ka deklaruar nga sheshi “Skënderbeu” në Shkup se procesi gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së duhet të përfundojë me epilogun e pafajësisë, duke theksuar se UÇK-ja ka dënuar çdo veprim fashist dhe çdo akt kundër popullatës civile.
Ahmeti tha se akuzat për “Shtëpinë e Verdhë” dhe pretendimet për “ndërmarrje të përbashkët kriminale” nuk duhet ta njollosin historinë e luftës çlirimtare të Kosovës. Sipas tij, UÇK-ja ka respektuar konventat ndërkombëtare të luftës dhe është dalluar qartë si ushtri vullnetare e popullit.
“UÇK-ja ka luftuar për liri dhe drejtësi, jo për t’ua mohuar lirinë popujve të tjerë. Ajo ka dënuar çdo veprim kundër civilëve dhe çdo ideologji fashiste”, tha Ahmeti.
Ai theksoi se ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, po akuzohen për vepra të pabëra dhe se ky proces, sipas tij, duhet të përfundojë me lirimin e tyre.
Ahmeti shtoi se demonstrata e mbajtur në Shkup nuk ishte kundër shtetit të Maqedonisë së Veriut, duke theksuar se ish-krerët e UÇK-së kanë kontribuar në paqen, stabilitetin dhe ndërtimin institucional në rajon.