Opinionisti Agron Hoti ka reaguar publikisht lidhur me reduktimet e ashpra të energjisë elektrike që, sipas tij, kanë goditur rëndë komunën e Rahovecit, duke u bërë thirrje të gjithë kandidatëve dhe kandidateve për deputetë nga kjo komunë që ta ngrenë zërin dhe ta adresojnë këtë problem serioz.
Në thirrjen e tij publike, Hoti thekson se energjia elektrike është prioritet absolut për jetën qytetare dhe zhvillimin ekonomik, duke vlerësuar se pa energji nuk mund të ketë as jetë normale dhe as zhvillim. Ai kujton se Kosova ka përjetuar një boom të madh ndërtimor dhe ekonomik në periudhën 2009–2019, pikërisht pas stabilizimit relativ të furnizimit me energji elektrike.
Sipas Hotit, mungesa e reagimit nga ana e kandidatëve për deputetë është shqetësuese, veçanërisht duke pasur parasysh se Rahoveci është një nga komunat kryesore furnizuese të Kosovës me pemë dhe perime. Ai shpreh habinë se si pretendohet përfaqësimi në Kuvend pa u marrë me problemet reale dhe urgjente të komunës, duke e cilësuar krizën energjetike si sfidën më të madhe të shekullit 21.
“Sa më shumë që komuna e Rahovecit ta ndalë prodhimin e pemëve dhe perimeve, aq më shumë do të rritet papunësia dhe varfëria, do të ikë rinia dhe do të shtrenjtohen produktet ushqimore,” paralajmëron Hoti, duke kërkuar nga kandidatët që të reagojnë edhe përmes protestave nëse është e nevojshme.
Ai përfundon thirrjen e tij duke kërkuar reflektim dhe veprim konkret nga kandidatët për deputetë, në mënyrë që të mbrohen interesat jetike të qytetarëve të Rahovecit.