Analisti politik Agron Hoti ka bërë një thirrje publike ndaj kandidatëve dhe kandidateve për deputetë nga komunat Pejë, Klinë, Gjakovë, Rahovec dhe Prizren, duke kërkuar që çështja e rregullimit të shtratit të Drinit të Bardhë të trajtohet me urgjencë dhe seriozitet.
Sipas Hotit, Drini i Bardhë përfaqëson damarën kryesore ujore të Rrafshit të Dukagjinit, ndërsa dëmet e mëdha ndaj shtratit të lumit janë shkaktuar nga nxjerrja e pakontrolluar e zhavorrit, sidomos pas bumit ndërtimor që Kosova ka përjetuar pas vitit 2009. Ai thekson se një praktikë e tillë është parë edhe në vende të tjera të Evropës gjatë fazave të hershme të zhvillimit, por se sot Kosova duhet të synojë standarde më të larta të mbrojtjes mjedisore.
Hoti vlerëson se deputetët e ardhshëm nga këto komuna duhet të tejkalojnë ndarjet partiake dhe të ushtrojnë presion ndaj Qeverisë së Kosovës, si dhe të angazhohen pranë donatorëve ndërkombëtarë, për të siguruar fonde dhe projekte konkrete për rehabilitimin e shtratit të Drinit të Bardhë.
Ai nënvizon se dëmet më të mëdha janë evidente pikërisht në komunat Pejë, Gjakovë, Rahovec dhe Prizren, prandaj deputetët që vijnë nga këto zona duhet të jenë edhe më aktivë dhe më të zëshëm. Megjithatë, sipas tij, deri më tani mungon një angazhim serioz nga kandidatët për deputetë lidhur me këtë problem.