Analisti Agron Hoti ka ngritur alarmin për lidhjen e drejtpërdrejtë mes shpopullimit masiv të Kosovës dhe rritjes së pakontrolluar të çmimeve, duke theksuar se vendi po përjeton zbrazjen më të madhe dhe më të shpejtë të popullsisë në Evropë.
Sipas Hotit, në pesë apo gjashtë vitet e fundit nga Kosova kanë ikur mbi 200 mijë të rinj, kryesisht djem, ndërsa situata e ngjashme po vërehet edhe në Shqipëri. Kjo ikje masive, thotë ai, ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve në pothuajse çdo sektor.
Ai sjell si shembull rritjen drastike të çmimeve krahasuar me vitin 2020: një kafe nga 0.50 euro ka shkuar në 1.50 euro, një burek nga 0.50 në 1.70 euro, qiratë nga 250 euro në 400–450 euro, ndërsa çmimi për metër katror të banesave është dyfishuar, si në Prishtinë ashtu edhe në Fushë Kosovë. Po ashtu, energjia elektrike është rritur mbi 150 për qind, ndërsa rritje e çmimit të ujit prej rreth 50 për qind është paralajmëruar për janar 2026.
Hoti thekson se ikja e rinisë ka ulur fuqinë blerëse dhe numrin e konsumatorëve, duke ndikuar në uljen e të ardhurave të shtetit, ndërkohë që bizneseve u janë rritur kostot e punës dhe shpenzimet operative.
“Një kafeteri e rrit çmimin e kafesë jo sepse e detyron shteti, por sepse përndryshe do të detyrohej ta mbyllte biznesin për shkak të rritjes së pagave dhe shpenzimeve komunale, përfshirë energjinë,” thekson Hoti.
Sipas tij, megjithëse shteti përfiton përmes rritjes së çmimeve duke mbushur arkën, kjo po bëhet në kurriz të qytetarëve, të cilëve zgjidhja e vetme po u mbetet largimi nga vendi.
Ai paralajmëron se nëse vazhdon kjo ikje masive e rinisë, çmimet do të rriten edhe më tej dhe Kosova do të bëhet gjithnjë e më e pabanueshme. “Pa zgjidhur problemin e energjisë dhe marrëdhëniet me Serbinë, ikja vetëm sa do të rritet dhe Kosova rrezikon të mbetet një vend i plakur dhe i përtharë,” përfundon Hoti.