Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Agron Hoti: Pushteti dhe opozita u takuan fshehurazi me Serbinë pas sulmit në Banjskë

Agron Hoti: Pushteti dhe opozita u takuan fshehurazi me Serbinë pas sulmit në Banjskë

Shkruan: Agron Hoti, Ratkoc, 10 janar 2026

Analisti politik Agron Hoti ka hedhur akuza të rënda ndaj pushtetit dhe opozitës në Kosovë, duke i cilësuar si të bashkuar në veprime të fshehta me Serbinë, vetëm pak javë pas agresionit të armatosur në Banjskë.

Sipas Hotit, ndërsa në publik përfaqësues të pushtetit dhe opozitës shfaqeshin me retorikë patriotike dhe dënonin ashpër Serbinë për sulmin, në prapaskenë ata rezultojnë të kenë zhvilluar takime të fshehta në Zvicër me delegacionin serb, në prani të emisarit evropian Miroslav Lajçak.

Ai pretendon se qëllimi i këtyre takimeve ka qenë diskutimi për amnistimin e Serbisë për agresionin në Banjskë, si dhe avancimi i procesit për themelimin e të ashtuquajturës “Samoupravnicë” (autonomi për veriun), e cila, sipas tij, është nënshkruar nga Kosova në vitin 2023.

“Pamjet nga Zvicra tregojnë politikanë kosovarë të buzëqeshur përkrah përfaqësuesve serbë, ndërkohë që në Kuvend garonin se kush po shante më fort Serbinë dhe Lajçakun. E gjithë kjo ishte farsë,” shkruan Hoti, duke shtuar se Kosova, në këtë situatë, realisht nuk ka pasur opozitë.

Analisti e quan këtë sjellje “akt tradhtie kombëtare”, duke theksuar se takimet janë zhvilluar pa mandat nga Kuvendi dhe pa transparencë ndaj qytetarëve. Ai vë në pikëpyetje edhe legjitimitetin moral të akuzave të opozitës ndaj kryeministrit Albin Kurti për bashkëpunim me Serbinë, duke argumentuar se “të gjithë kanë vepruar njësoj”.

Hoti shprehet se kjo sjellje e klasës politike ka ndikuar edhe në reagimin e zbehtë të SHBA-së dhe BE-së ndaj agresionit serb në Banjskë. “Pse ta dënonin seriozisht Serbinë, kur vetë pushteti dhe opozita e Kosovës vrapuan të takoheshin fshehurazi me të, duke e falur praktikisht për agresionin?” shkruan ai.

Në analizën e tij, Hoti thekson se në vende me standarde demokratike, veprime të tilla do të kishin shkaktuar protesta masive dhe përgjegjësi penale për aktorët politikë. Sipas tij, fakti që pushteti dhe opozita vazhdojnë të bashkëpunojnë lehtësisht në nivel lokal dhe të garojnë në zgjedhje “pa asnjë ndjenjë faji”, dëshmon hipokrizinë e skenës politike kosovare.

Ai e lidh këtë realitet politik edhe me ikjen masive të të rinjve nga vendi, duke theksuar se mbi 200 mijë të rinj kanë emigruar vitet e fundit jo vetëm për arsye ekonomike, por edhe si “akt dënimi” ndaj një klase politike që, sipas tij, ka zgjedhur pazarin dhe gënjeshtrën mbi interesin shtetëror.

“Në Kosovë ekziston vetëm një parti politike – pushteti dhe opozita bashkë – që ditën luan patriotin, ndërsa natën negocion sovranitetin,” përfundon Hoti, duke theksuar se problemi kryesor i vendit nuk është mungesa e opozitës, por mungesa e ndërgjegjes kombëtare për të ardhmen e Kosovës.

/TV Arbëria