Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Agron Hoti: Kosova në paralizë totale, qytetarët kanë humbur shpresën për ndryshim

Agron Hoti: Kosova në paralizë totale, qytetarët kanë humbur shpresën për ndryshim

Analisti politik Agron Hoti në një intervistë me shkrim për TV Arberia ka folur për situatën politike në Kosovë para zgjedhjeve të reja, duke e cilësuar gjendjen si “paralizë totale” dhe pa perspektivë për qytetarët.

Sipas Hotit, Kosova tash e shtatë vite nuk ka lëvizur përpara në rrafshin veriatlantik, ndërsa ka përfunduar edhe nën sanksione perëndimore. Ai tha se pasojat e kësaj situate do të ndihen për një kohë të gjatë, teksa alarmoi edhe për ikjen e të rinjve nga vendi për shkak të mungesës së perspektivës.

Duke folur për zgjedhjet, Hoti deklaroi se nuk pret ndonjë ndryshim të madh në rezultat, por vetëm “riciklim” politik. Sipas tij, mungesa e opozitës reale gjatë viteve të fundit ka bërë që qytetarët t’i besojnë vetëm narrativës së pushtetit.

Ai tha se nuk pret rritje të pjesëmarrjes në votime, përkundrazi rënie, pasi qytetarët sipas tij kanë humbur entuziazmin dhe do të votojnë më shumë si obligim qytetar sesa me shpresë për ndryshim.

Sa i përket formimit të institucioneve pas zgjedhjeve, Hoti u shpreh skeptik edhe për krijimin e një koalicioni të qëndrueshëm qeverisës. Ai tha se partitë politike nuk janë të gatshme të marrin përgjegjësinë për, siç u shpreh ai, “themelimin e autonomisë në veri”, të dakorduar në Marrëveshjen e Ohrit të vitit 2023.

Në fund, Hoti deklaroi se “e vetmja mundësi” që mund ta ndryshojë konfiguracionin politik në vend është kthimi i ish-krerëve të UÇK-së nga Haga, për të cilët tha se kanë qenë prijës të proceseve të luftës, çlirimit, pavarësimit dhe shtetndërtimit të Kosovës.

/TV Arbëria