Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Agron Hoti: Evropa ka humbur rolin global – nga projektuese në reaguese

Agron Hoti: Evropa ka humbur rolin global – nga projektuese në reaguese

Analisti Agron Hoti ka reaguar ashpër ndaj rolit aktual të Evropës në skenën ndërkombëtare, duke vlerësuar se kontinenti i vjetër ka humbur tashmë garën globale në ekonomi dhe siguri dhe se sot është shndërruar në një aktor thjesht reagues, pa kapacitet projektues.

Sipas Hotit, fati i Evropës ka qenë i lidhur drejtpërdrejt me Shtetet e Bashkuara, të cilat arritën të frenojnë Rusinë në Ukrainë dhe Iranin në Lindjen e Mesme, duke mbajtur të sigurta rrugët kryesore të tregtisë dhe energjisë globale. Megjithatë, ai thekson se fokusimi i ardhshëm i Amerikës do të zhvendoset kryesisht në rajonin Indo-Paqësor, ku pritet të menaxhohet rivaliteti mes fuqive aziatike.

Në këtë realitet të ri gjeopolitik, Hoti vlerëson se Evropa ka mbetur prapa dhe tash e tutje do të veprojë vetëm në mënyrë reaguese. Sipas tij, e vetmja “strategji” që i ka mbetur Evropës është marrja e rinisë nga Ballkani, Ukraina, Kaukazi dhe rajone të tjera, vetëm për të mbajtur gjallë një ekonomi në plakje.

Duke folur për Ballkanin, Hoti kritikon ashpër standardet e dyfishta evropiane. Ai thekson se, ndonëse Ballkanit i kërkohet luftë kundër korrupsionit si kusht për investime, kapitali evropian vazhdon të derdhet në mega-tregje të mëdha dhe thellësisht të korruptuara si Rusia, Kina, India, Amerika Latine, vendet arabe dhe Azia Juglindore.

“Është iluzion të presësh ulje të korrupsionit në rajone të varfëra pa zhvillim ekonomik. Pa bukë nuk ka as drejtësi e as siguri,” thekson Hoti, duke paralajmëruar se nëse kjo qasje vazhdon, Ballkani rrezikon që brenda 20–30 vjetësh të shndërrohet në një rajon të plakur dhe të shpopulluar rëndë.

Në përfundim, Agron Hoti shprehet se me politikat aktuale Evropa nuk do të arrijë më të prodhojë as ndikim real e as zhvillim, duke mbetur një aktor i dobët global dhe një partner zhgënjyes për Ballkanin.