Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka kërkuar që Kuvendi ta përmirësojë projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media pas “qortimit të ashpër nga ana e Këshillit të Europës”.
AGK ka treguar se cilat janë pikat kryesore të kritikuara nga KiE në prjektligjin për KPM-në.
“Aspektet kryesore të kritikuara nga Këshilli i Europës janë: ndryshimi i projektligjit për KPM-në pa koncept dokument në kundërshtim me rregulloren e qeverisë, mënyrën e definimit dhe rregullimit të mediave online, ndryshimet rrënjësore në përbërjen, emërimin, mandatin dhe shkarkimin e anëtarëve të KPM-së, largimin e kufizimit ligjor që në të kaluarën ia pamundësonte partive politike dhe bashkësive fetare hapjen e televizioneve dhe radiove dhe mungesën e transparencës gjatë nismës legjislative”, thuhet në postimin e AGK-së.
Postimi i plotë:
Kuvendi të përmirësojë projektligjin për KPM-në pas qortimit të ashpër nga ana e Këshillit të Europës
Këshilli i Europës ka përgatitur një opinion ligjor për projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media (KPM) dhe ka konfirmuar që disa aspekte të projektligjit nuk janë në përputhje me standardet më të mira europiane. Opinioni ligjor që mban datë 24 maj 2024 dhe është përgatitur për nevoja të Komisionit për Media të Kuvendit të Kosovës dhe konfirmon në tërësi shqetësimet tona të ngritura publikisht përmes konferencës për shtyp të mbajtur më 1 shkurt 2024.
Aspektet kryesore të kritikuara nga Këshilli i Europës janë: ndryshimi i projektligjit për KPM-në pa koncept dokument në kundërshtim me rregulloren e qeverisë, mënyrën e definimit dhe rregullimit të mediave online, ndryshimet rrënjësore në përbërjen, emërimin, mandatin dhe shkarkimin e anëtarëve të KPM-së, largimin e kufizimit ligjor që në të kaluarën ia pamundësonte partive politike dhe bashkësive fetare hapjen e televizioneve dhe radiove dhe mungesën e transparencës gjatë nismës legjislative.
Ne shprehim keqardhjen tonë për qortimin që i është bërë shtetit të Kosovës nga ana e Këshillit të Europës, institucion ky në të cilin Kosova synon të anëtarësohet. Qortimi është rezultat i tendencës së qeverisë dhe shumicës parlametare për të kontrolluar mediat dhe rregullatorin e mediave (KPM) përmes këtij projektligji dhe refuzimit të qëllimshëm të Zyrës së Kryeministrit për të përfshirë industrinë e medias dhe shoqërinë civile në fazat e hershme të nismës legjislative.