Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Agjencia Kadastrale po tenton të fsheh dokumentet e tenderëve, alarmon AVONET

Agjencia Kadastrale po tenton të fsheh dokumentet e tenderëve, alarmon AVONET

Rrjeti i OJQ-ve AVONET ka shprehur shqetësimin mbi mostransparencën dhe mosllogaridhënien e Agjencisë Kadastrale të Kosovës.

“Pas një kërkese për qasje në dokumente publike, e cila kishte si fokus informacione dhe dokumente nga fusha e prokurimit publik, Agjencia refuzoi të ofronte qasje në këto dokumente, duke shkelur kështu parimet e transparencës dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve, si dhe duke vepruar në kundërshtim me dispozitat e ligjit pozitiv për qasje në dokumente publike”, thuhet në reagim.

Sipas tyre dokumentet lidhen me shpenzimin e parave publike.

“Kjo situatë është shqetësuese, sepse dokumentet e kërkuara lidhen drejtpërdrejt me shpenzimin e parave publike, dhe refuzimi për t’i publikuar ato hedh hije dyshimi mbi integritetin e procesit të prokurimit.

Mosdhënia e informacionit dhe mungesa e transparencës janë pengesa të mëdha në përpjekjet për të luftuar korrupsionin dhe për të siguruar një qeverisje të mirë. Rrjeti i OJQ-ve AVONET bën thirrje për veprime të menjëhershme nga autoritetet për të garantuar qasje në dokumentet publike dhe për të forcuar mekanizmat e llogaridhënies”, thuhet në reagim.