Agim Rexhepi, kryetar i shoqatës “Miqtë e Amerikës”, i ftuar në emisionin “n’Pult”, tha se tash e mbi 12-13 vite nuk kanë marrë asnjë cent nga institucionet e shtetit në llogaritë e shoqatës.
“Ka më shumë se 12-13 vite që asnjë cent nuk është ra prej institucioneve të shtetit në konto të shoqatës, ndoshta faji është te unë, nuk kam qenë pjesë e partive”, deklaroi ai.
“Kam pasur pesë takime me presidentin Clinton”
Rexhepi kujtoi përkushtimin e shoqatës që nga viti 2009 për marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Shoqata e ka sjell në 2009 në Prishtinë presidentin Clinton, presidentin më të fuqishëm të botës. Unë kam pasë pesë takime me presidentin Clinton. Sa herë kam kërku takim me presidentin Clinton, kudo që ka qenë, unë jam taku me të”, u shpreh ai.
“Amerikanët na kanë përkrah në ekstrem. Shteti i Kosovës nuk e ka kry punën e vet”
Rexhepi theksoi se lidhjet e shoqatës me përfaqësues të lartë të SHBA-së janë të shumta dhe të vazhdueshme.
“Kemi lidhje dhe komunikime me zyrat e presidentit Bush të riut. Kemi komunikim me më shumë se 100 senatorë, kongresistë, guvernatorë, ish-prokurorë të Shteteve të Bashkuara ose zyrtarë të ndryshëm amerikanë. Kemi shumë komunikim edhe me zyrtarë të botës dhe Evropës. Ky është mision. Amerikanët na kanë përkrah në ekstrem. Shteti i Kosovës mendoj se nuk e ka kry punën e vet”, tha ai.
“Qëndrim Kryeziu bëri veprim të jashtëzakonshëm”
Rexhepi komentoi edhe rastin kur mbi shtatoren e presidentit Clinton ishte vendosur një parullë “vdekje Izraelit”, dhe ndërhyrjen e pronarit të “Koorporatës Kryeziu”, Qëndrim Kryeziu për ta hequr menjëherë atë.
“Kam shumë respekt për Qëndrim Kryeziun, sepse e ka bërë një veprim të jashtëzakonshëm, atë rastin kur u shënu tek shtatorja e presidentit Bill Clinton, ai mesazhi ‘vdekje Izraelit’. Pa hezitim, automatikisht ka marrë iniciativë që ajo parullë që ka ba dëm, mirëpo ka mujt me ba shumë më shumë dëm shtetit edhe kombit shqiptar, sepse ai me qëllim është ba, jo rastësisht, dhe jo nga individ të nivelit të ulët. Qëllimi ka qenë propagandistik”, deklaroi Rexhepi. /TV Arbëria/