Themeluesi i Institutit për Studime të Sigurisë “Octopus”, Agim Musliu, ka ngritur alarmin për një bashkëpunim të thelluar mes Serbisë dhe Rusisë në drejtim të destabilizimit të Ballkanit dhe Evropës.
Në një reagim publik në Facebook, Musliu theksoi se Rusia po shfrytëzon territorin serb për të stërvitur grupe paramilitare me synimin për të minuar demokracitë evropiane — dhe këtë, sipas tij, me miratimin dhe përkrahjen e drejtpërdrejtë të institucioneve shtetërore të Serbisë.
“Serbia është shndërruar në territor ku Rusia, me infrastrukturën që i ofron Beogradi, stërvit lirisht grupe paramilitare për të destabilizuar demokracitë evropiane. A mund të ndodhte kjo pa miratimin e institucioneve serbe? Sigurisht që jo”, shkroi Musliu.
Ai përmendi rastin e Milan Radoiçiqit si shembull konkret të formimit të grupeve të armatosura nga Serbia për qëllime destabilizuese në rajon, duke shtuar se këto përpjekje janë pjesë e një strategjie të përbashkët ruso-serbe.
“Serbia është partner strategjik i Rusisë në projektet më të rrezikshme të destabilizimit të Evropës dhe rajonit tonë, duke e shndërruar veten në hallkën kryesore të ndikimit rus në Ballkan,” përfundoi Musliu.