Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Agim Çeku: Shteti i Kosovës i braktisi heronjtë e tij në Gjykatën e Hagës

Agim Çeku: Shteti i Kosovës i braktisi heronjtë e tij në Gjykatën e Hagës

Gjenerali dhe ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, në një rrëfim ekskluziv për TV Arbërinë, ka drejtuar kritika të ashpra për sjelljen përjashtuese të Presidentes Osmani dhe Kryeministrit Albin Kurti ndaj spektrit tjetër politik në vend.

Ai u ka bërë thirrje të dy liderëve shtetërorë që të tregojnë më shumë respekt dhe konsiderata ndaj atyre që kanë kontribuar në procesin e shtet-ndërtimit të Kosovës, veçanërisht heronjve të gjallë tij që aktualisht gjenden padrejtësisht në Hagë. Sepse në këtë mënyrë e nderojnë historinë e Kosovës dhe arritjet e saj për këto dy dekada.

Sipas tij, procesi që po zhvillohet në Hagë kundër Thaçit, Veselit, Krasniqit, Selimit, Mustafës etj, nuk është i drejtuar kundër atyre personalisht, por kundër shtetit të Kosovës, ngase në gjykatore është duke u akuzuar lufta çlirimtare me një aktakuzë tepër të rëndë si “ndërmarrje e përbashkët kriminale”.

Shteti i Kosovës, sipas Gjeneral Çekut, duhet të tregojë kujdes maksimal ndaj këtij zhvillimi. Është detyrë madhore e institucioneve të Kosovës që të angazhohen që të rrëzohet kjo aktakuzë.

Se si duhet të veprohet në këtë rast ai ka marrë shembullin e Kroacisë. Tre gjeneralët kryesorë të ushtrisë kroate për shkak të rolit të tyre në operacionin “Stuhia”, qenë akuzuar me një aktakuzë identike. Mirëpo, atëbotë shteti kroat u mobilizua i tëri, duke përfshirë diplomacinë, sportin, kulturën madje edhe kishën, me qëllim që ta rrëzojë një aktakuzë të tillë.

Ndërkohë, përpos familjarëve të atyre që ndodhen në Hagë, institucionet shtetërore të Kosovës po i veçon një heshtje dhe indiferencë e çuditshme, e cila mund të jetë shumë e dëmshme për historinë dhe të ardhmen e Kosovës.

Video e plotë:

/TV Arbëria