Analisti politik Afrim Kasolli ka reaguar për zhvillimet e fundit politike përmes një postimi në Facebook, ku ka përdorur metaforën e rikthimit të Odiseut në Itakë për të komentuar pretendimin e presidentes Vjosa Osmani për “rikthim në shtëpinë politike”.
Kasolli shkruan se “asnjë rikthim nuk është i mundur”, duke iu referuar figurës së Odiseut, i cili pas shumë vitesh e kupton se qyteti i tij kishte ndryshuar dhe se as ai vetë nuk ishte më i njëjti.
Sipas tij, edhe rikthimi politik i Vjosa Osmanit nuk mund të jetë i njëjtë me atë që kishte lënë pas, pasi “shtëpia” ku ajo pretendon të kthehet tashmë është “e përgjysmuar”. Ai fajëson bashkëpunimin e saj politik me kryeministrin Albin Kurti si shkakun kryesor të këtij ndryshimi politik.
Kasolli e përshkruan këtë proces si pasojë të “bredhjeve politike në anijen e Albin Kurtit”, duke aluduar se lëvizjet politike të Osmanit kanë ndikuar drejtpërdrejt në dobësimin e strukturës politike nga e cila ajo kishte dalë.