Analisti politik Afrim Kasolli ka reaguar ashpër ndaj rritjes së rasteve fatale në vendet e punës në Kosovë, duke e cilësuar situatën si alarmante dhe të neglizhuar nga institucionet.
Sipas tij, vetëm gjatë këtij viti, tetë persona kanë humbur jetën në vendin e punës, një trend që, nëse vazhdon, rrezikon që disa sektorë të shndërrohen në atë që ai e quan “punishte vdekjeje”.
Kasolli kritikon faktin se kjo çështje po trajtohet vetëm në nivel statistikor, pa një reagim serioz politik apo institucional. “Kjo temë po mbetet thjesht një numër në raportet zyrtare, pa u trajtuar si plagë reale shoqërore,” thekson ai.
Ai nuk kursen kritikat as ndaj ekzekutivit dhe opozitës. Sipas Kasollit, kryeministri Albin Kurti është i angazhuar në aktivitete ndërkombëtare dhe debate politike jashtë vendit, ndërsa në anën tjetër, partitë opozitare janë të përqendruara në kalkulime politike dhe marrëveshje të mundshme për çështje të tjera, duke lënë anash problemet urgjente të qytetarëve.
Kasolli vlerëson se mungon edhe një reagim minimal institucional, siç do të ishte inicimi i një seance parlamentare për këtë çështje. Sipas tij, kjo tregon një shkëputje të thellë mes klasës politike dhe realitetit të qytetarëve.
“Po të ishim në rrethana të tjera, një opozitë funksionale do ta kishte shndërruar këtë çështje në kauzë nacionale. Por duket se përfaqësuesit politikë janë më të interesuar për komoditetin personal sesa për jetën e qytetarëve,” shprehet ai.
Në përfundim, Kasolli thekson se kjo situatë është një tjetër dëshmi e krizës së përfaqësimit politik në vend, ku si pozita ashtu edhe opozita, sipas tij, po veprojnë më shumë në funksion të interesave të tyre sesa të shoqërisë.