Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Afrim Kasolli: Tensionet mes Qeverisë së Kosovës dhe aleatëve perëndimorë kanë ndikuar negativisht në marrëdhëniet ndërkombëtare të vendit

Afrim Kasolli: Tensionet mes Qeverisë së Kosovës dhe aleatëve perëndimorë kanë ndikuar negativisht në marrëdhëniet ndërkombëtare të vendit

Analisti politik, Afrim Kasolli ka kritikuar politikën e jashtme të Kosovës, duke theksuar se ajo ka dështuar në pjesën më të madhe gjatë viteve të fundit. Sipas tij, Kosova ka humbur mundësi të rëndësishme për të avancuar në skenën ndërkombëtare, dhe për këtë fajin e ka jo vetëm lobimi i Serbisë, por edhe mungesa e përmbushjes së obligimeve të saj ndërkombëtare.

Në një intervistë të fundit, Kasolli theksoi se dështimi për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës është një tregues i qartë i mangësive në diplomacinë kosovare. Ai shpjegoi se Kosova ka dështuar të përmbushë detyrat e saj të përcaktuara në marrëveshjet e fundit, përfshirë marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit.

“Dështimi për të anëtarësuar në Këshillin e Evropës nuk është rezultat i lobimit të Serbisë, por i faktit se Kosova nuk ka përmbushur detyrat e saj ndërkombëtare. Ky është një dështim diplomatik që është pranuar edhe nga përfaqësues të vendeve mike”, tha Kasolli.

Ai shtoi se tensionet mes qeverisë së Kosovës dhe aleatëve perëndimorë kanë ndikuar negativisht në marrëdhëniet ndërkombëtare të vendit, duke krijuar pasiguri dhe penguar përparimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Kasolli theksoi se për të arritur sukses në politikën e jashtme, Kosova duhet të përmbushë angazhimet e saj dhe të ndërtojë marrëdhënie të forta dhe të besueshme me partnerët ndërkombëtarë.

Kasolli tutje ka komentuar deklaratat e fundit të kryeministrit Albin Kurti, duke theksuar se ai ka dhënë sinjale të qarta se do të vazhdojë të mbajë të njëjtën qasje në raport me aleatët ndërkombëtarë. Kasolli ka theksuar se, sipas deklaratave të Kurtit, ai ka krijuar një raport të ri dhe të shëndoshë me Perëndimin, i cili është i ndryshëm nga mënyra se si qeveritë e kaluara e kishin përdorur aleancën me Perëndimin.

Megjithatë, Kasolli thekson se, ndonëse kryeministri po shprehet optimist për marrëdhëniet me aleatët ndërkombëtarë, praktika e deritanishme ka treguar se ka pasur tensione të vazhdueshme mes Qeverisë së Kosovës dhe shteteve perëndimore. Kjo ka çuar në mungesën e sukseseve diplomatike, siç është dështimi për anëtarësimin në Këshillin e Evropës.

“Kurti po dërgon mesazhe se do të vazhdojë me këtë qasje, por ne duhet të kemi parasysh se gjatë këtij mandati ka pasur tensione mes Kosovës dhe aleatëve të saj perëndimorë, dhe kjo ka penguar përparimin diplomatik të vendit. Kosova duhet të përmbushë obligimet ndërkombëtare për të arritur sukses”, ka thënë Kasolli.

Deklaratat e Kasollit vijnë në një kohë kur politika e jashtme e Kosovës është në qendër të vëmendjes, dhe kërkesat për një diplomaci më të fuqishme dhe efektive janë gjithnjë e më të pranishme. /TV Arbëria

Intervista: