Analisti politik Afrim Kasolli ka reaguar pas konferencës së kryetarit aktual të PDK-së, Bedri Hamza, konferencë kjo që erdhi pas rezultateve preliminare të KQZ-së për zgjedhjet e ditës së djeshme (28 dhjetorit).
Kasolli potencon se ky rezultat i PDK-së nuk është për t’u krenuar, pasi, siç thekson, kjo parti vetëm ka humbur vota në krahasim me zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Se këtë subjekt do të kalonte jo mirë në këto zgjedhje u bë e ditur, kur Bedri Hamza, në vend se të hapet ndaj kritikës publike dhe ta marrë atë si më të dobishme për partinë, ai ra pre e lakejve që e rrethojnë, të cilët interes primar e kanë vetëm si të futen në 10-të të parë dhe t’i sigurojnë pozicionet e tyre personale në dëm të aksionit kolektiv”, ka shkruar Kasolli.
Postimi i plotë:
Pse humbi Bedri Hamza?
Në një konferencë për shtyp Kryetari i Partisë Demokratike, Bedri Hamza u shpreh “krenar” me rezultatin e djeshëm zgjedhor, me pretendimin se ky subjekt politik e ka ruajtur votën. fillimisht duhet të qartësohet para opinionit publik që kjo parti a ka garuar në këto zgjedhje që të mbetet aty ku ishte, apo ta minojë ndikimin elektoral të Lëvizjes Vetëvendosje. E dyta edhe po të jetë ky parim nuk ka arsye për arsyetim, sepse sipas rezultateve aktuale kjo parti në zgjedhjet e shkurtit i kishte 194.474 vota, kurse dje i ka siguruar 183.826 vota. Dhe ka pak gjasa që ky numër të shtohet nga votat e diasporës dhe ato me kusht. Pra thjesht PDK ka humbur vota dhe jo që e ka ruajtur atë rezultat. Se kyt subjekt do të kalonte jo mirë në këto zgjedhje u bë e ditur, kur Bedri Hamza në vend se të hapet ndaj kritikës publike dhe ta marrë atë si më të dobishme për partinë, ai ra pre e lakejeve që e rrethojnë, të cilët interes primar e kanë vetëm si të futen në 10-te të parë dhe t’i sigurojnë pozicionet e tyre personale në dëm të aksionit kolektiv. /TV Arbëria