Analisti politik Afrim Kasolli ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, duke e cilësuar si të “paprecedent” propozimin e kryeministrit Albin Kurti për zgjedhjen e Presidentit.
Sipas Kasollit, iniciativa e bërë në orët e vona të natës, ku Kurtit i kërkon LDK-së dhe PDK-së të propozojnë tre emra për postin e Presidentit – ndërkohë që Lëvizja Vetëvendosje do të tërhiqte kandidatët e saj, Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku – është një lëvizje e kalkuluar politike.
Ai thekson se këtë skenar e kishte paralajmëruar që në fillim të janarit, gjatë një debati televiziv, duke argumentuar se Kurti do ta përdorte këtë “kartë” për të ndërtuar narrativën e viktimizimit politik.
“Qëllimi i kësaj lëvizjeje është që barra e dështimit të bjerë mbi opozitën”, vlerëson Kasolli, duke shtuar se në këtë mënyrë Kurti synon të paraqitet para qytetarëve si lider që ka bërë maksimumin për të arritur konsensus.
Sipas tij, përmes këtij veprimi, kryeministri tenton të ekspozojë partitë opozitare si të paafta për të ndërtuar unitet dhe për të ofruar zgjidhje konkrete për vendin, veçanërisht në procesin e sigurimit të 80 votave të nevojshme për zgjedhjen e Presidentit.
Kasolli përfundon se kjo qasje politike është pjesë e një strategjie më të gjerë komunikimi, për të forcuar pozicionin e qeverisë dhe për të rritur presionin publik ndaj opozitës.