Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Afrim Haliti: “Nân” nuk u shkru për Eurovisionin, por për plagët që shqiptarët ende i mbajnë në zemër

Afrim Haliti: “Nân” nuk u shkru për Eurovisionin, por për plagët që shqiptarët ende i mbajnë në zemër

Krejt e natyrshme që tek ne kënga “Nân” po pëlqehet shumë emocionalisht, por realisht nuk e kam besu asnjëherë që kjo është këngë që ka potencial me fitu Eurovisionin. Jo pse kënga është e keqe por për shkak që dhimbja që bart kjo këngë është e jona dhe shumë pak evropiane.
Këtë e them edhe nga përvoja personale. Njësoj jam largu edhe unë prej nanës time. E kam jetu atë ndjenjë kur largohesh prej shtëpisë me idenë që po shkon “për një jetë më të mirë”, por në realitet një pjesë të vetes e lë mbrapa. Mirëpo, gjatë gjithë viteve në Perëndim, sinqerisht nuk kam hasur kurrë në ndonjë empati ndaj kësaj pjese të jetës tonë për shkak se ata emigrimin e shohin krejt ndryshe prej neve.
Për shumicën e shqiptarëve, largimi nuk ka qenë asnjëherë aventurë romantike. Në të kundërten, ai ka qenë mbijetesë. Ka qenë detyrim politik, ekonomik apo historik. Ka qenë ndarje familjare. Ka qenë nana që ka mbetë e vetëm. Ka qenë telefoni që i ka zëvendësu darkat familjare dhe ka qenë dhoma që me vite ka mbetë e zbrazët.
Në Evropën Perëndimore, largimi prej shtëpisë shihet si pavarësi e liri. Si emancipim personal. Fëmija largohet në moshën madhore dhe kjo konsiderohet pjesë normale e jetës moderne. Sociologjikisht, raporti me familjen nuk është ndërtu në të njëjtën mënyrë si në trojet tona, e më gjërë në Ballkan.
Te shqiptarët sidomos, nana nuk është thjesht prind por institucion emocional.
Për këtë arsye një këngë si “Nân” në trojet tona na prek thellë në zemër. Sepse pothuajse s’ka familje shqiptare që nuk e njeh atë korridor të zbrazët, atë dhomë pa zë, e atë pritje në prag të derës. Kjo këngë nuk është vetëm tekst artistik por biografi kolektive e një populli që prej dekadash po eksportohet nëpër botë.
Fatkeqësisht Eurovisioni nuk funksionon kurrë mbi këtë logjikë.
Tashmë po e shohim që Eurovisioni sot është më shumë spektakël sesa muzikë. Gjuha që Evropa e konsumon më lehtë është ritmi i shpejtë, performanca palidhje, beati i shfrenuar, refreni që kapet për 15 sekonda, koreografi koti e absurditet modern. Këngëve që i kanë këto tipare nuk iu nevojitet konteksti kulturor. Ato nuk kërkojnë reflektim. Trupi reagon vetvetiu si tek “Hajde lujmë çyçek…”
Ndërsa “Nân” kërkon diçka tjetër: kërkon kujtesë, kërkon përvojë, dhe më shumë se gjithçka tjetër “Nân” kërkon dhimbje të jetume.
Prandaj nuk fiton.
Për shkak se shumica e evropianëve nuk e shohin emigrimin si tragjedi kolektive. Ata nuk e kanë atë raport emocional me nanën që kemi ne. Nuk e kanë atë zbrazësirën historike që e kanë shqiptarët. Për ta, largimi nga shtëpia është pjesë e rritjes ndërsa për ne ka qenë traumë emocionale.
Prandaj Eurovisionin e fitojnë këngë që neve shpesh na duken pa lidhje apo banale. Jo domosdoshmërisht për shkak se evropianët janë popull sipërfaqësor, por për shkak se kultura moderne evropiane funksionon mbi stimulim të shpejtë e jo mbi peshën emocionale. Shoqëria moderne nuk ka durim me u ndal e me reflektu në heshtje mbi një nanë që pret fëmijët e saj.
Shoqëria sot don adrenalinë e jo mall.
Prandaj “Nân” mund t’i prekë shqiptarët në zemër, por jo domosdoshmërisht Evropën në votë.
Kjo këngë nuk besoj se është shkru për një audiencë që kërkon spektakël në Eurovision. Kjo është këngë për njerëz që kanë lanë nanën në aeroport. Për njerëz që në mbrëmje kanë thirrë në shtëpi dhe e kanë dëgju heshtjen në anën tjetër të telefonit. Për njerëz që kanë jetu me valixhe, por kurrë nuk janë largu plotësisht emocionalisht prej shtëpisë.
“Nân” ka vlerë të madhe për ne. “Nân” ekziston me na kujtu plagët që ende nuk i kemi shëru.
Punë e madhe për Eurovizionin.
Nuk e meriton Eurovizioni ta ketë fitues çdo këngë.