Valon Kurtaj u vlerësua për performancën si gjyqtar në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, pavarësisht përfshirjes në rastin e dështimit të dërgimit të Albin Kurtit, kryeministrit të Kosovës, për paraqitje si dëshmitar në Prokurori.
Në kulmin e zhvillimit të hetimeve në rastin e Rezervës Shtetërore, në të cilën Kurti ishte listuar si dëshmitar në procedurë penale, në korrik të vitit të kaluar, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) miratoi avancimin e gjyqtarit Kurtaj në detyrë.
Nga Departamenti Special i gjykatës së shkallës së parë, ai u gradua në gjyqtar të të njëjtit departament në Gjykatën e Apelit.
Vendimi, sipas njoftimit të KGjK-së, u mor bazuar në raportin e Panelit për shqyrtimin e aplikacioneve, intervistimin, vlerësimin dhe rekomandimin e kandidatëve për ngritje në detyrë.
Kurtaj, i cili prej shtatë vitesh ushtroi pozitën e gjyqtarit në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, nisi mandatin si i “graduar” në Apel nga 1 shtatori i vitit 2025.
Në muajt paraprak, gjyqtari Kurtaj ishte përfshirë në rastin më të zhurshmën në procedurë penale. Atë të Rezervës Shtetërore, në të cilën Kurti ishte ftuar si dëshmitar i rastit ku tashmë po përballet me drejtësinë ministrja në detyrë e Tregtisë, Rozeta Hajdari.
Kurti kishte refuzuar të bashkëpunojë me organet e drejtësisë duke mos marrë parasysh ftesat e Prokurorisë e as urdhrat e lëshuar nga Gjykata për paraqitje me detyrim për të dhënë dëshmi.
Për shkak të refuzimit të kryeministrit Kurti për të bashkëpunuar me Prokurorinë, Prokurorët Special më 14 shkurt kishin kërkuar nga gjyqtari Kurtaj lëshimin e urdhrit për paraqitjen e dëshmitarit me detyrim.
Shtatë ditë pas kërkesës së Prokurorisë, Gjykatat Themelore në Prishtinë nën udhëheqjen e gjyqtarit të procedurës paraprake – Kurtaj, kishte lëshuar urdhrin me të cilin Albin Kurti në cilësinë e dëshmitarit ishte detyruar që të paraqitej në Prokurori për të dhënë deklaratën e tij në lidhje me skandalin me Rezervat Shtetërore.
Mirëpo, përkundër urdhrit të Gjykatës, Kurti nuk ishte paraqitur në Prokurori, duke i detyruar edhe njëherë tjetër prokurorët që të paraqisnin një tjetër kërkesë para gjyqtarit Kurtaj.
Në kërkesën e përsëritur, prokurorët e kishin njoftuar gjykatën me bazën ligjore si dhe rrethanat faktike, nga të cilat rezultonte qartazi se dëshmitari Albin Kurti pa arsye ligjore të justifikueshëm nuk po е përmbushte detyrimin ligjor për t’u paraqitur në prokurori edhe pas dërgimit të 3 (tri) thirrjeve si dhe urdhrit të gjykatës për paraqitje me detyrim.
Në këtë kërkesë të prokurorëve, ishte kërkuar shprehimisht që gjykata t’ia shqiptojë dëshmitarit masat e përcaktuara në nenin 132 si dhe të nxjerr urdhër tjetër me të cilin dëshmitari detyrohet që të paraqiten në prokurori, nën shoqërimin e forcës.
Me 7 mars të vitit 2025, gjykata kishte nxjerrë aktvendim për shqiptimin e gjobës ndaj dëshmitarit Albin Kurti në shumën prej 250 eurove dhe kishte lëshuar një urdhër tjetër për paraqitje në Prokurori, por urdhri nuk ishte zbatuar sërish.
Kurti kishte parashtruar ankesë ndaj Vendimit të gjykatës për shqiptimin e gjobës për shkak të mosparaqitjes në prokurori, por ankesa e tij ishte refuzuar nga Kolegji penal i Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Përkundër mos përfilljes së urdhrit të Gjykatës edhe pas shqiptimit të gjobës, gjyqtari i procedurës paraprake, Valon Kurtaj, nuk kishte përfillur Kodin e Procedurës Penale (KPPRK)
Sipas nenit 132 të Kodit të Procedurës për mosparaqitjen e dëshmitarit, kur dëshmitari refuzon të dëshmojë, atëherë mund të burgoset. Megjithatë paragrafi 2 i këtij neni, në të cilin flitet për burgimin e dëshmitarit, nuk ishte marrë parasysh nga gjyqtari Kurtaj.
Refuzimi i gjyqtarit Kurtaj për arrestimin e Kurtit ishte “shpërblyer” nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës katër muaj më vonë.
Në fund të korrikut, KGJK kishte marrë vendim për avancimin e gjyqtarit Kurtaj në Departamentin Special të Gjykatës së Apelit.
Sipas vendimit të KGJ-së, Komisioni për Përzgjedhjen e Gjyqtarëve, e kishte vlerësuar gjyqtarin Valon Kurtaj me pikët maksimale.
Kurtaj kishte nisur punën e tij në Gjykatën e Apelit në shtator të vitit që lamë pas, ndërsa pak më shumë se një muaj pas vendit të tij të ri të punës, Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë në lidhje me skandalin për Rezervat Shtetërore.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale Rozeta Hajdari, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara, kanë keqpërdorur detyrat zyrtare me qëllim përfitimi pasuror për persona të tjerë, duke shkaktuar dëm ndaj buxhetit të Republikës së Kosovës prej 2,912,134.78 euro.
Skandali lidhur me mallin për Rezervat Shtetërore llogaritet si njëri nga skandalet më të mëdha të ekzekutivit.
Gjykimi për këtë rast ka filluar të martën (13 janar) pasi seanca e parë fillestare kishte dështuar në mungesë të të akuzuarës – ministres Rozeta Hajdari.
Për shkak të kërkesave të mbrojtësve të të akuzuarve, seanca fillestare u mbajt e mbyllur për publikun për shkak të klasifikimit të dosjeve si Sekret Shtetëror.