Avokati Ardian Bajraktari i ftuar në emisionin “N’PULT” ka sqaruar se cilat janë afatet kohore për krijimin e institucioneve të reja në Republikën e Kosovës, pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare.
Bajraktari sqaroi aspektin procedural të afateve kohore, shkruan TV Arbëria.
“Gjykata Kushtetuese në korrik të vitit 2014 ka bërë sqarime të mjaftueshme në drejtim të kësaj situate. Fillimisht aspekti procedural pas publikimit të rezultateve përfundimtare do të ketë një periudhë kohore kur subjektet e paknaqura mund ti drejtohen fillimisht panelit zgjedhor për ankesa dhe parashtresa, pastaj edhe Gjykatës Supreme si instancë e fundit. Pas përfundimit të këtij procesi natyrisht që duhet të bëhet qertifikimi i rezultateve zgjedhore dhe në rrjedhë të kësaj pastaj fillon hapi tjetër i konstituimit të Kuvendit e mnatyrisht edhe sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese dhe rregullores së punës së Kuvendit, Kuvendi konsiderohet i konstituuar në momentin kur zgjedhet kryetari i Kuvendit dhe nënkryetari, prej kur fillojnë pastaj me rrjedh edhe afatet procedurale kushtetuese me Nenin 95 të Kushtetutës. Sa i përket çështjes së zgjedhjeve dhe në këtë drejtim është aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i cili e sqaron edhe për sa i përket çështjes së subjektit më të madh politik i cili natyrisht me automatizëm i takon e drejta për ta propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit dhe natyrisht pastaj fillon edhe çështja e mandatimit të kandidatit për kryeministër, i cili si rregull për herë të parë i takon presidentit të vendit që në konsultim me subjektin politik që ka marrë numrin më të madh të ulëseve në Kuvend ta bëjë propozimin e kandidatit i cili është i detyruar që në afat prej 15 ditësh ta paraqes para Kuvendit përbërjen e qeverisë, e cila duhet t’i marrë 61 deputetë e tutje”, tha Bajraktari.
Derisa shtoi se “në qoftë se nuk do të mund ‘ti marrin votat e mjaftueshme kalohet te raundi i dytë ku është në diskrecionin e presidentit që të propozoj një kandidat tjetër i cili arrin me i mbledh 61 deputetë që do ta mbështesin”, shtoi tutje ai./TV Arbëria./