Veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Adnan Hyseni vjen në Arb Debat në TV Arbëria me një rrëfim të padëgjuar më parë rreth kontributit të tij dhe luftën për çlirim.
Veterani i UÇK-së: Nuk kemi ditë çka është pushka, por dëshira e madhe na shtyu të bëhemi pjesë e UÇK-së
Hyseni tregon se jetonin në kushte të rënda, por asgjë nuk i ndali të luftojnë për liri.
“Si i ri në atë kohë në pjesën operative të Dukagjinit, ku nuk kemi ditë as çka është jeta sepse si unë edhe shumë të tjerë kanë qenë në gjendje shumë të rëndë ekonomike, nuk kemi ditë çka është pushka por dëshira, gatishmëria e madhe na shtyu që të bëhemi ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”
Hyseni: Bashkë me vëllanë, duke iu falënderuar sakrificës së nënës, arritëm t’i shërbejmë atdheut, ta veshim uniformën e UÇK-së
Ai tutje tregon se, falë sakrificës së nënës së tij, u bënë pjesë e luftës për liri të Kosovës.
“Unë dhe vëllau, duke iu falënderu nënës, sepse kemi mbet pa babin në moshë 9-vjeçare, duke iu falënderu sakrificës së nanës arritëm me i shërby atdheut duke e vesh uniformën e UÇK-së në vitin 1998 e deri në përfundimin e saj”
Shkoi në Gjermani për trajtim, luftëtari i UÇK-së: Brenga ime është që të rikthehem në shërbim të atdheut
Veterani i UÇK-së tregon edhe për sëmundjen që u përball për vite të tëra dhe mungesën për atdheun.
“Fatkeqësisht në nëntor të vitit 2017 jam njoftu prej doktor Shemsedin Dreshaj që unë vuaj nga një sëmundje të rëndë – infeksion në mëlçi. Jam udhëzu që të largohem prej Kosovës për shkak se sipas aspektit mjekësor jeta ime diku varet 6 muaj. Kam shku në Gjermani, jam përballë me disa për shkak të sigurimeve shëndetësore, por kam arrit falë shqiptarëve me kriju një mundësi të trajtimit në atë kohë. Tanimë, pas disa vitesh edhe për shkak të humbjes së vëllaut para një viti është rikthy sëmundja dhe, duke falënderu doktorin Halil Krasniqi në Gjermani, por edhe shqiptarëve, kam arrit diku para tre muajve me përfundu edhe njëherë trajtimin mjekësor përmes terapisë, e tash falë Zotit jam mirë dhe besoj shumë shpejt mund të ringritem, por ajo që kam brengë është të rikthehem në shërbimin e atdheut”
“Njëherë kur bahesh ushtar dhe betohesh, je ushtar i atdheut deri në fund të jetës” /TV Arbëria