Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Administrata e Presidentit Biden autorizon shitje emergjence armatimi për Izraelin

Administrata e Presidentit Biden autorizon shitje emergjence armatimi për Izraelin

Për të dytën herë këtë muaj, administrata e Presidentit Biden anashkalon Kongresin duke miratuar shitje emergjence armësh për Izraelin, ndërsa Izraeli vazhdon me luftën kundër Hamasit në Gazë mes kritikave të shtuara ndërkombëtare.

Departamenti i Shtetit tha të premten se Sekretari i Shtetit, Antony Blinken ka njoftuar Kongresin se ka marrë një vendim të dytë emergjence për 147.5 milionë dollarë shitje paisjesh ushtarake që nevojiten për të futur në funksionim predhat 155 mm që Izraeli pati blerë më herët.

“Për shkak të urgjencës së nevojave të mbrojtjes së Izraelit, sekretari njoftoi Kongresin se ka ushtruar autoritetin e deleguar për të vendosur se ekziston një emergjencë, për shkak të së cilës është i nevojshëm miratimi i menjëhershëm i transferimit (të paisjeve). Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për sigurinë e Izraelit, dhe është jetike për interesat kombëtare të Shteteve të Bashkuara që Izraeli të jetë në gjendje të mbrohet nga rreziqet që i kanosen”, tha Departamenti i Shtetit.

Vendimi i emergjencës do të thotë se shitja e armatimit do të anashkalojë shqyrtimin që bëhet nga Kongresi për shitjet e armatimeve vendeve të tjera. Vendime të tilla janë të rralla, por jo të paprecedenta, kur administratat shohin një nevojë urgjente për dërgim armësh për të cilat nuk mund të pritet për miratimin e ligjvënësve.

Sekretari Blinken mori një vendim të ngjashëm në 9 dhjetor, duke miratuar shitje për Izraelin të 14 mijë predhave për tanket, me vlerë mbi 106 milionë dollarë.

/TV Arbëria

Powered by WordPress