Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, është takuar me presidentin e FIFA-së, Gianni Infantinon në Paris.
Duke shprehur mirënjohjen për bashkëpunimin e vazhdueshëm me të parin e FIFA-së, Ademi përmes një shkrimi në “Facebook”, ka thënë se është i përkushtuar që zëri i klubeve nga Kosova të dëgjohet në mënyrën e duhur në arenën ndërkombëtare.
I pari i FFK-së gjithashtu ka thënë se me Infantinon kanë biseduar për avancimin e më tutjeshëm të infrastrukturës sportive në Kosovë.
Postimi i plotë i Ademit:
Si gjithmonë edhe kësaj radhe u prita me përzemërsi nga presidenti i FIFA-s në Paris.
Jam shumë mirënjohës ndaj presidentit Gianni Infantino për respektin dhe vlerësimin që ka për mua dhe për FFK-në.
Çdo takim me të parin e FIFA-s është mundësi e mirë për të diskutuar për futbollin e Kosovës. Futbolli është pasioni që na bashkon dhe për të cilin jemi krenarë.
Në këtë takim shprehëm dëshirën për të rritur tutje futbollin në Kosovë me projekte të përbashkëta, teksa presidenti Infantino më uroi fat e rrugëtim të suksesshëm me Përfaqësuesen në ciklin kualifikues Euro 2024.
Për mua është nder dhe kënaqësi që kam arritur të krijoj raporte te këtilla me liderët e futbollit evropian dhe botëror si Aleksander Çeferin dhe Gianni Infantino, por edhe me sektorët e tjerë të futbollit.
Detyra ime si udhëheqës i FFK-së është të prezantoj, të ndërtoj raporte dhe të punoj me zell e saktësi me të gjitha institucionet vendore dhe ndërkombëtare, duke garantuar se zëri i klubeve, futbollistëve dhe akterëve të tjerë të futbollit të dëgjohet në mënyrë të pastër, reale dhe të drejtë kudo.
/TV Arbëria