Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Sport > Ademi: Licencimi do të ndodhë së shpejti, Komisioni e ka zvarritur së tepërmi këtë proces

Ademi: Licencimi do të ndodhë së shpejti, Komisioni e ka zvarritur së tepërmi këtë proces

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi ka një mesazh para nisjes së stinorit pranveror në Superligën e Kosovës.

Këtë vikend do të rikthehen emocionet që i sjell kampionati vendor, pas një pauze për më shumë se dy muajve, raporton TV Arbëria.

Ademi tha se kjo pauzë i shërbeu FFK-së për tu konsoliduar dhe përgatitur në të gjitha segmentet, dhe klubeve për të realizuar përgatitjet e nevojshme brenda dhe jashtë vendit.

Fillimi i stinorit pranveror në elitë është një ngjarje e rëndësishme për komunitetin e futbollit. Ai i paraprinë një karvani të madh të ligave, të cilat rifillojnë garat njëra pas tjetrës, në çdo kategori e në çdo grupmoshë, në të dyja konkurrencat.

Pauzën ndërmjet dy stinorëve, ne në FFK e shfrytëzuam për konsolidim dhe përgatitje në të gjitha segmentet, derisa klubet duke iu falënderuar investitorëve i realizuan përgatitjet e nevojshme brenda dhe jashtë vendit”, tha Ademi.

Kreu i FFK-së gjithashtu tha se gjatë kësaj periudhe kishte edhe sfida dhe pengesa, ku rikujtojmë se vërshimet e fundit në vendin tonë shkaktuan dëme të mëdha në infrastrukturën e futbollit.

Po ashtu, Ademi tha se njëra nga pengesat është edhe procesi i licencimit nga MKRS-ja.

Fatkeqësisht, përkundër përkushtimit maksimal të stafit të FFK-së dhe të klubeve në kompletimin e të gjitha dokumentacioneve që ky proces të përmbyllet sa më shpejt, Komisioni i Licencimit për arsye që vetëm ata i dijnë, e ka zvarritur së tepërmi këtë proces, duke shkaktuar shqetësime dhe pengesa të panevojshme, veçmas për klubet, në aspektin administrativ por edhe në atë të përfitimit nga Ligji për Sponsorizim”, tha Ademi.

Por, si duket çështja e licencimit nuk do të jetë më problem për FFK-në, pasi që Ademi tha se kreu i ministrisë së Sportit ka paralajmëruar se licencimi do të ndodhë së shpejti.

Megjithatë, duket se tashmë edhe këtij procesi të stërzgjatur po i vjen fundi, ngase edhe vet kreu i ministrisë së Sportit ka paralajmëruar se licencimi do të ndodhë së shpejti dhe kësisoj do të hiqen pengesat për të ecur përpara dhe për ta vazhduar misionin tonë në zhvillimin e hovshëm të futbollit tonë“, tha Ademi.

Për fund, i pari i FFK-së kishte edhe një mesazh për klubet e Superligës, duke kërkuar që të luajnë në frymën e lojës së ndershme dhe sa më shumë kreativitet.

Nesër nis një rrugë e gjatë, e mbushur me rivalitet sportiv, emocione e dramacitet të garës. Objektivat janë të ndryshme; dikush lufton për titullin kampion, dikush tjetër për daljen në Evropë, e dikush për mbijetesë në elitë. Por, që të gjithë duhet ta kenë një synim të përbashkët – futbollin ta luajnë në frymën e ‘fair-play’-it dhe me sa më shumë kreativitet. Kësisoj, do të jemi fitues të gjithë, ngase tribunat e stadiumeve do të mbushen me tifozë, derisa më të mirët do të na përfaqësojnë në Evropë për rezultate tjera historike.

Uroj që ky stinor të shënojë rritje të cilësisë e të shikueshmërisë, por edhe të vë në pah talente të reja të futbollit tonë.

Urime të gjitha klubeve dhe suksese në realizimin e objektivave!”, tha Ademi.

Powered by WordPress