Në emisionin “ARB Debat”, politikani i PDK-së, Adem Grabovci, ka dhënë një deklaratë të gjatë dhe të detajuar për situatën politike në Kosovë, duke e cilësuar qeverisjen aktuale si të papërgjegjshme dhe duke e akuzuar kryeministrin Albin Kurti për përçarje politike dhe kombëtare. Ai ka komentuar zhvillimet e fundit, pa lënë asnjë pjesë të deklaratës së tij jashtë.
Grabovci tha:
“Jemi duke jetuar në një situatë ku e them me përgjegjësi të plotë jo të dëshirueshme, aq më tepër të panevojshme edhe të papërgjegjshme nga akterët kryesorë. Kosova nuk e ka luksin që çdo pesë muaj apo gjashtë muaj apo ku e di unë brenda vitit të mbajë katër palë zgjedhje. Përveç anës materiale që shkaktojnë shpenzimet e panevojshme dhe të tepërta janë edhe pasojat tjera politike, ekonomike e të tjera që i shkaktojnë vendit edhe në rastin konkret që i ka shkaktuar vendit”.
Ai vazhdoi duke thënë:
“Por që njëkohësisht e them edhe një anë tjetër, që kjo situatë prej mbajtjes së 9 shkurtit e deri më sot, e shpërfaq edhe njëherë papërgjegjësinë e njeriut që ka dalë partia e parë e Lëvizjes Vetëvendosje sepse rregullat e demokracisë janë të terpta dhe të qarta. Demokracinë dhe anarkinë e ndan për mendimin tim vetëm një fijë shumë e hollë. Demokracia ka rregulla strikte dhe mosrespektimi i tyre absolutisht të çon në anarki, dhe pastaj anarkia është shumë e qartë për të gjithë, nuk kemi nevojë me filozofu, e dimë ku përfundon. Prandaj është e papranueshme dhe e rrezikshme, e dëmshme”.
Në vijim, Grabovci shtoi:
“Prandaj në rastin konkret partia e parë që del e para, nëse nuk e ka fuqinë politike të mjaftueshme për të konstituuar institucionet e vendit, absolutisht është e obligueshme me rregullat e demokracisë siç ndodh në çdo vend të botës, të krijojë fuqinë e nevojshme politike, pra të krijojë të sigurojë 61 vota të nevojshme për konstituimin e vendit, Kuvendit të Kosovës, të qeverisë dhe gjitha institucioneve të tjera. Kjo nënkupton futjen në bisedime me partnerët e tjerë apo konkurrentët e tjerë, me partitë e tjera. Nëse nuk pajtohen me një parti, janë partitë tjera dhe është mënyrë obligative, hapi i parë i domosdoshëm me gjet një gjuhë të përbashkët me partitë tjera dhe me siguru atë fuqi politike”.
Ai shtoi se nuk dëshiron të kthehet sistemi i një partie:
“Përpos këtyre nuk i sugjeroj dhe nuk do t’i kisha leju edhe nëse partia që i takoj do t’i fitonte 51 apo 52 përqind. Nuk do të dëshiroj që pushteti ynë të udhëhiqet nga një parti sepse sistemin njëpartiak ne i kemi vuajtur pasojat e tyre dhe nuk dëshiroj të kthehemi në një monozim. Dhe dëshiroj, kemi punu dhe kemi kontribu maksimalisht edhe si individ edhe si shoqëri që ta kemi një sistem plural, që nënkupton bashkëpunimin mes subjekteve politike”.
Duke folur për deklaratat pro-integrimit, ai tha:
“Ne kemi dhe dëgjojmë deklarata nga politikanët dhe flasin për integrime evropiane që janë domosdoshmëri, që të gjithë duhet të punojmë për to. Por para se të flasim për integrime euroatlantike, ne duhet të flasim, të punojmë, të kontribuojmë për integrimin e brendshëm kombëtar. Absolutisht e them me përgjegjësi të madhe, jo vetëm në Kosovë; skena politike asnjëherë nuk ka qenë më e acaruar, më e përçarë, për qytetarët e Kosovës sesa që është sot ajo në Kosovë, dhe lirisht mund të them edhe brenda kombëtar”.
Ai vazhdoi duke akuzuar Kurtin për përçarje:
“Marrëdhëniet mes subjekteve politike janë shumë të acaruara. Dhe këtë acarim po e bën vetëm një subjekt politik, dhe ai individ është Albin Kurti, që është kundër të gjitha subjekteve politike, kundër shoqërisë civile, kundër mediave, kundër partnerëve ndërkombëtar. Marrëdhëniet me shtetin tonë amë sot janë në pikën zero, minus zero. Asnjëherë marrëdhëniet tona nuk kanë qenë më të këqija. Edhe të vëllezërve tanë të Maqedonisë janë shumë zero, të Malit të Zi, të Luginës. Dhe i vetmi që ka krijuar këtë përçarje e ka vetëm një emër dhe ai është Albin Kurti”.
Grabovci tha se bashkëpunimi politik është domosdoshmëri:
“Sot është e domosdoshme që subjektet politike të bashkëpunojnë, të bashkëveprojnë për të dalë fitimtarë kundrejt sfidave që do të na dalin. E keqja e këtij vendi e ka një emër – Albin Kurti. Për pesë vite qeverisje, ne nuk mund të identifikojmë asnjë veprim pozitiv që e ka bërë karshi interesit tonë nacional”.
I pyetur nga gazetari për veriun, ai tha:
“Ne duhet t’i referohemi historisë sonë. Kemi gjenerata e gjenerata që janë përball për me ardhë deri këtu. Nuk ka qenë vetëm veriu i vendit por e gjithë Kosova e pushtuar, e rrezikuar, e nënshtruar dhe i është ekspozu një shfarimi. Fitorja jonë ndaj Serbisë nuk ka qenë fitore ushtarake por politike sepse kemi arritur të dëshmojmë para botës se jemi në të drejtën tonë”.
Ndërsa për akuzat e Vetëvendosjes se PDK bashkëpunon me Listën Serbe, Grabovci u përgjigj:
“Patriotizmi i vonuar është fatkeqësia më e madhe. Me bo përpjekje në emër të patriotizmit, duke shit patriotizëm se po bashkëpunojmë me Listën Serbe, për mu kjo është fatkeqësia më e madhe që i sjell vetëm dëme këtij vendi. Sepse absolutisht unë kam bashkëpunuar në të kaluarën, kur kam qenë shef i grupit parlamentar të Kosovës, me përfaqësuesit e serbëve në parlamentin e Kosovës. Kam koordinu publikisht, zyrtarisht të gjitha aktivitetet e mia edhe me Sllobodan Petroviqin dhe me të gjitha deputetët e tjerë sepse për mua ata kanë qenë deputetë të parlamentit të Kosovës, ata kanë qenë qytetarë të Republikës së Kosovës dhe unë kam obligim dhe përgjegjësi t’i trajtoj në mënyrë të barabartë të gjithë qytetarët e Kosovës”.
Ai e mbylli deklaratën duke thënë:
“Suksesi ynë më i madh ka qenë, është dhe do të mbetet atëherë kur qytetarët e Republikës së Kosovës i trajtojmë në mënyrë të barabartë. Sa i përket aspektit njerëzor, asnjë njeri nuk ndjehet mirë kur shahet, shpifet kundër tij sepse të gjitha këto janë shpifje e trillime. Mbi bazën e këtyre këta e sigurojnë ekzistencën e tyre. Unë nuk ia kam leju vetes e as nuk do t’ia lejoj që në të ardhmen time e kënaqësinë time ta krijoj mbi fatkeqësinë e dikujt, sepse për mu është e papranueshme me bo përpjekje me ndërtu një lumturi timen duke shpif kundrejt teje”.