Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri me anë të një postimi në Facebook-un e tij personal ka radhitur disa nga iniciativat e opozitës në këtë vit, por që pushteti ka refuzuar t’i mbështes.
Sipas tij viti 2024 do të jetë vit i opozitës, sepse kësaj qeverie do t’i shkurtohet mandati dhe di t’i ndalen hajnitë.
Ky është postimi i plotë i Abelard Tahrit:
Pasqyra më e mirë e pushtetit të dëmshëm të Albin Kurtit, është edhe shumica parlamentare e tij, e cila vetëm këtë vit, me votë, i tha:
– JO propozimit tonë për kundërshtuar dhe anuluar vendimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike me mbi 115 %;
– JO propozimit tonë për kundërshtuar dhe refuzuar miratimin e Ligjit për rritjen e tatimit në pronë me 100 %, si një vendim që ka rënduar jetën e qytetarëve tanë;
– JO propozimit tonë ligjor për heqjen e TVSH-së për produktet esenciale ushqimore;
– JO propozimit tonë për shkarkimin e Bordit të KEK-ut, përmes të cilit do të duhej shkarkuar urgjentisht edhe Drejtorin e kësaj ndërmarrje që ky pushetet u kujdes t’ia ruaj pozitën dhe t’ia siguroj pagën edhe atëherë kur ishte në qeli, për disa muaj në paraburgim;
– JO propozimit tonë për shkarkimin e Rozeta Hajdarit, e cila prodhoi njërën prej aferave më të mëdha korruptive – të vjedhjes në rezervat shtetërore dhe për muaj të tërë refuzoi themelimin e Komisionit Hetimor që propozuam;
– JO propozimit tonë për nismën ligjore për pensionimin e parakohshëm të policisë dhe për realizimin e shtesave dhe sigurimin e tyre shëndetësor;
– JO propozimeve tona në ligjin për buxhetin e vitit 2024, për të trajtuar pa diskriminim të gjitha komunat, e të gjithë qytetarët;
Por nuk e ndal dot angazhimin tonë për ta mbrojtur rendin kushtetues, si grupi më i suksesshëm në betejat kushtetuese dhe profesionale në Gjykatën Kushtetuese;
Nuk e ndal dot angazhimin tonë për të nxjerrë në pah aferat korruptive si qindra kontrata njëburimore me vlera milionëshe, apo abuzimet me taksat e qytetarëve tanë;
E as nuk e ndal dot alternativën tonë të së ardhmes e cila, e bën dallimin e madh mes kësaj qeverie që paguan Gani Jakupa për një muaj, sa për 12 muaj paguhet një policë i lartë i Kosovës;
“Viti i ardhshëm do të jetë vit edhe me i suksesshëm për opozitën sepse kësaj qeverie do t’ia shkurtojmë mandatin e do t’ia ndalim hajninë”, ka përfunduar ai.
/TV Arbëria