Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Abdixhiku uron Adelina Thaçin për koncertin për një çerekshekull karrierë, ia veçon këngën për babanë e saj

Abdixhiku uron Adelina Thaçin për koncertin për një çerekshekull karrierë, ia veçon këngën për babanë e saj

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka përgëzuar këngëtaren Adelina Thaçi për koncertin e saj të mbrëmshëm për një çerek shekulli karrierë.

Abdixhiku tha se kishte një këngë të preferuar të sajën.

“Përtej performancës të veçantë e narracioneve të ndërmjetme që Adelina i jepte me plot finesë, do të veçoja këngën e saj premierë ‘Bab’, dedikuar aktorit të madh Rasim Thaçit”.

Abdixhiku tha se ishte kënaqësi edhe takimi që ka pasë në prapaskenë me artistët që ishin prezentë.

“Natyrisht, në prapaskenë, takimi me artist të mëdhenj ishte gjithnjë kënaqësi. Të takosh Armend Rexhepagiqin – të preferuarin pa konkurrencë; artistët si Edona Llalloshin e Vullnet Sefajën, ishte nder, sikurse dhe një shëtitje në kohë”.

Postimi i plotë:

Adelina Thaçi, shkëlqeu mbrëmë.

Koncerti i saj recital, me gjithë mysafirët performues si Gjon’s Tears, Zanat, Iliri e Deniku, ishte një freski Prishtine; një rikujtim shënues i një karriere 25 vjeçare të një artisteje shembullore, një gruaje të jashtëzakonshme.

Përtej performancës të veçantë e narracioneve të ndërmjetme që Adelina i jepte me plot finesë, do të veçoja këngën e saj premierë ‘Bab’, dedikuar aktorit të madh Rasim Thaçit. Siç dhe do të veçoja një pjesë të tekstit të posabërë të Ethnically Plugged, të kryeveprës ‘Dasma e Fshehtë’ që mbrëmë na u dha si një prelud i një projekti më të madh. Kureshtar për tekstin e plotë pas dy dekadave instrumental.

Natyrisht, në prapaskenë, takimi me artist të mëdhenj ishte gjithnjë kënaqësi. Të takosh Armend Rexhepagiqin – të preferuarin pa konkurrencë; artistët si Edona Llalloshin e Vullnet Sefajën, ishte nder, sikurse dhe një shëtitje në kohë.

Adelina, të lumtë e urime për një çerek shekulli karrierë! Vazhdo njëjtë! Ju faleminderit që i dhatë Prishtinës një mbrëmje që për pak çaste na jep ritëm e përplot jetë!