Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Abdixhiku reagon: Shfaqje teatrale e mandatarëve pa numra

Abdixhiku reagon: Shfaqje teatrale e mandatarëve pa numra

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas nominimit të Glauk Konjufcës, si mandatar i dytë i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për formimin e qeverisë.

Abdixhiku e ka quajtur procesin “shfaqje teatrale të mandatarëve pa numra, pa shumicë dhe pa legjitimitet demokratik”.

“Kjo shfaqje teatrale, e mandatarëve pa numra, pa shumicë e pa legjitimitet demokratik, duhet të marrë fund. Republika nuk është material loje për llogaritje të vogla elektorale. Republika mbetet më e madhe se secili prej nesh”, ka deklaruar Abdixhiku.

Ai ka bërë thirrje që partitë të pranojnë realitetin politik dhe t’u tregojnë qytetarëve se aktualisht nuk ekziston shumicë parlamentare për formimin e qeverisë.

“Shiqoni qytetarët në sy e tregojuni se nuk ka shumicë. Secila parti shqiptare ka dhënë verdiktin politik, të deponuar tashmë në Presidencë. Sot, matematikisht, me vullnetin e deklaruar politik, nuk ka mundësi për shumicë”, ka theksuar ai.

Kryetari i LDK-së kritikoi vonesat e procesit politik, duke thënë se zvarritjet e mëtejshme vetëm sa e thellojnë krizën në vend.

“A nuk ju duken mjaft 8 muaj vonesë në shtetin më të varfër në kontinent për t’i dhënë vonesa shtesë? Qëndrimi me çdo kusht në pushtet, edhe pa legjitimitet, nuk mund të jetë vlerë e re politike”, shtoi Abdixhiku.

Në fund, ai shprehu besimin se Presidentja e Republikës do të respektojë vullnetin e shumicës shqiptare, duke theksuar se verdikti politik i partive tashmë i është bërë i ditur Presidencës.

“Dua të besoj se Presidentja do të deklarojë gjënë më të thjeshtë e më logjike sot: fatkeqësisht, në këtë Kuvend nuk ka shumicë parlamentare, dhe asnjë mbledhje e asnjë partie nuk ndryshon këtë fakt politik”, përfundoi Abdixhiku.