Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku i ka dalë në mbrojtje deputetes Hykmete Bajrami pas sulmeve nga pushteti.
Ai thotë se sulmet ndaj saj janë përgjigje e dëshpëruar e një pushteti dëshpërues ndaj dekonstruktimit publik që Hykmetja bën në gjithë ekzistencën e vet politike – pothuajse çdo ditë.
“Profesoresha Hykmete Bajrami, nënkryetarja e LDK-së, po sulmohet jo rastësisht nga moçali propagandistik i pushtetit. Sulmet ndaj saj – vërtetësia e të cilave më s’po zgjatë as një gjysmë dite – janë përgjigje e dëshpëruar e një pushteti dëshpërues ndaj dekonstruktimit publik që Hykmetja bën në gjithë ekzistencën e vet politike – pothuajse çdo ditë!
Prandaj, si e tillë, ajo merr mbështetje të madhe qytetare. Sepse e vërteta vlerësohet nga njerëzit e lirë të kësaj Republike; e veprimtaria publike e një gruaje në politikë s’duket ndryshe përveç se kështu!”.
Hykmete Bajrami është zonjë e fortë, vazhdon tutje Abdixhiku.
“Ajo mbetet model i një gruaje të angazhimit të pastër, të dijshëm e mbi të gjitha profesional – tipare këto të panjohura për kundërshtatët e saj e tonë!”.