Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pritur në selinë e partisë familjen e atdhetarit dhe gazetarit të ndjerë, Enver Maloku.
Ai u vra 25 vjet më parë, në mbrëmjen e 11 janarit të vitit 1999, në një kohë kur situata ishte mjaft e rënduar nga lufta. Ai u qëllua nga atentatorët pranë banesës së tij në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë, në sytë e gruas dhe të fëmij
“Atë ditë u ndërpre rrugëtimi i një gazetari vetëmohues, i një ëndërrimtari të lirisë, i një intelektuali të rrallë e të pashoq, i një adhuruesi të shkrimit, rokut, e vet shpirtit kulturor të shoqërisë sonë”, ka shkruar Abdixhiku në Faceboook.
Me këtë rast, ai ka njoftuar se bashkë me familjen Maloku kanë shpalosur pllakën dhe portretin e tij përkujtimor.
“Patrioti model i orëve më të rënda e bartësi i dritares informuese në lëvizjen më të madhe nacionale për liri, pavarësi e demokraci, u vra në moshën 45 vjeçare. Sot, një çerek shekulli pas, me familjen e ngushtë Maloku, me zonjën Hava, Doruntinën e Drinin, në Selinë Qendrore të LDK-së shpalosëm pllakën e portretin përkujtimor të tij”.
“Ky portret e kjo pllakë, e vendosur në Murin e Nderit, do të na qëndrojnë si shenja të rënda që na ekojnë përherë dhe në përditshmëri. Që na rikujtojnë rreshtin e gjatë të patriotëve të Lidhjes dhe vet Republikës, ëndrra fillestare e të cilëve na është bërë udhërrëfimi ynë sot”, ka përfunduar i pari i LDK-së. /Telegrafi/