Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Abdixhiku: Popullistët na dhanë një marrëveshje pa njohje dhe me asociacion plus në të

Abdixhiku: Popullistët na dhanë një marrëveshje pa njohje dhe me asociacion plus në të

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku me bashkëpunëtorë, gjatë ditës së diel ka qëndruar në Podujevë me rastin e 33 vjetorit të themelimit të kësaj dege.

Me këtë rast në fjalën e tij, Abdixhiku ka thënë që është përgjegjësi e popullistëve të pushtetit që Kosova në momentin më të favorshëm të saj, humbi momentumin historik për marrëveshje finale e me njohje në qendër të saj.

“Në vend të kësaj, popullistët na dhanë një marrëveshje pa njohje, jo finale dhe me asociacion plus në të. Mashtruan gjatë, zhbënë secilin qëndrim dhe përfunduan në rezultat edhe më të rëndë se secila gjendje paraprakisht. Kjo gjendje e re, e shndërruar si detyrim integrues për vendin tonë tani, është e pariparueshme më. Shteti i Kosovës sot është vënë para zgjedhjeve të vështira, si rezultat i politikës së pamatur të Qeverisë së Kosovës. Për shkak të refuzimit të koordinimit me kohë, për shkak të mosprioretizimit të dialogut si interes nacional, për shkak të moskuptimit të rrethanave politike në kontinent e më gjerë, dhe për shkak të rënies në grackën e Serbisë rreth destabilitetit në veri të vendit, Kosova ka humbur një mundësi të madhe historike; atë të arritjes së një marrëveshje finale, ligjërisht të obligueshme dhe me njohjen në qendër në të”.

Kryetari Abdixhiku në 33 vjetorin e themelimit të Degës së LDK-së në Podujevë ka shprehur mirënjohje për të gjithë veprimtarët e veprimtaret e LDK-së që u angazhuan dhe vepruan që nga themelimi deri më sot.

/TV Arbëria

Powered by WordPress