Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar veprimtarin dhe Heroin e Kosovës, Xhemail Mustafa, në 25-vjetorin e vrasjes së tij.
Abdixhiku e ka përshkruar Mustafën si një intelektual, publicist dhe veprimtar të palodhur, që qëndroi pranë Presidentit historik Ibrahim Rugova gjatë viteve më të vështira të shtetformimit. Ai theksoi rëndësinë e kontributit të Mustafës për lirinë dhe demokracinë në vend.
“Jeta dhe vepra e tij dëshmojnë një rrugëtim të mbushur me mund, sakrificë e përkushtim të pakompromis”, ka thënë Abdixhiku. Ai ka vlerësuar edhe rolin e Mustafës si gazetar dhe shkrimtar, duke përmendur veprën e tij “Një lutje për Prishtinën” si pasqyrë të realitetit të Kosovës së vitit 1999.
Abdixhiku theksoi se, edhe pse fizikisht Mustafa nuk është më, ideali i tij dhe krijimtaria publicistike mbeten gurëthemel i Republikës së Kosovës. Ai nënvizoi gjithashtu nevojën për zbardhjen e krimit ndaj Mustafës, duke e quajtur këtë detyrim ndaj Kosovës dhe kujtimit të tij:
“Nëntori i festave u bë i pamëshirshëm për ne me humbjen e ikonës së LDK-së. Dhimbja rritet çdo ditë që zbardhja e këtij krimi mungon. Ata që s’e deshën lirinë e Kosovës, nuk e deshën as Xhemën. Detyrim i yni është gjetja e autorëve të këtij krimi, për Xhemën dhe për Kosovën”, ka përfunduar Abdixhiku.