Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se mbrëmë ka pranuar ftesë nga presidentja Osmani për takim me të dhe me drejtorin e AKI-së, Petrit Ajeti.
Abdixhiku ka thënë se në këtë takim është informuar për gjendjen e sigurisë në veri të vendit dhe për angazhimin e institucioneve shtetërore në përballje me sulmet terroriste gjatë së dielës.
“Mbrëmë, kam pranuar ftesë nga Presidentja e Kosovës për takim të përbashkët me të dhe Drejtorin e AKI-së. Këtë mëngjes, në takimin e përbashkët, jam informuar mbi gjendjen e sigurisë në veri të vendit dhe angazhimin e institucioneve shtetërore – veçmas ato të sigurisë e inteligjencës – në përballje me sulmet terroriste gjatë ditëve të fundit; dhe jo vetëm”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Ai ka thënë se ka shprehur mirënjohjen e LDK-së për të gjithë në shërbim dhe ka shprehur domosdoshmërinë e unitetit nacionale në përballje me sfidat që mund të vijnë nga Serbia.
“Kam shprehur mirënjohjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës për të gjithë në shërbim. Kam shprehur po ashtu domosdoshmërinë e unitetit nacional në përballje me sfidat që mund të vijnë nga Serbia; si shtet sponsorizues e strehues i terroristëve. Djemtë e vajzat tona fituan betejën kundër terrorizmit në terren. Është koha ta fitojmë atë diplomatike në politikë. Në këtë përpjekje jemi bashkë. Në këtë përpjekje na duhen aleatë”, ka shkruar ai.
/TV Arbëria